Lajme

Gashi: Mjetet financiare u janë kthyer komunave, triumfoi e drejta


Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka njoftuar se mjetet financiare – 37.5 milion euro – të komunave u janë kthyer komunave, për çka edhe ka uruar qytetarët e Kosovës.

“Nga sot, 37.5 milion euro të komunave u kthehen komunave, u kthehen atyre që u takojnë; i kthehen realizimit të projekteve për të mirën e kryeqytetasve dhe të qytetarëve të çdo komune. E drejta e komunave triumfoi”.

“E drejta e qytetarëve për realizimin e projekteve të tyre triumfoi. Kjo e drejtë, ishte dhe është e drejtë e pakontestueshme e komunave, ngase është e garantuar me ligj dhe kushtetutë. Urime për të gjithë!”, shkroi Gashi në llogarinë e tij.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, me 81 vota pro dhe asnjë abstenim, ka miratuar në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin duke mundësuar zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave, të akomuluara nga vitet paraprake.

Të hyrat vetanake komunale të cilat janë mjete financiare që mblidhen nga taksat, tarifat, gjobat, pagesat për shërbimet publike, të cilat pastaj dedikohen kryesisht vetëm për komunat dhe investimet në to, këtë vit Qeveria e Kosovës tentoi t’ua marrë komunave.

Në anën tjetër, në njoftimin se Qeveria e Kosovës ka ndarë 742 milionë euro për komunat për vitin 2024, ministri i Financave, Hekuran Murati, gjithë situatën me ndaljen e të hyrave vetanake e ka trajtuar si një propagandë të opozitës dhe jo si problem real me të cilin po përballej niveli komunal.

Alarmin për marrjen e të hyrave vetanake e kishte ngritur Asociacioni i Komunave të Kosovës, i cili kishte shprehur shqetësim të thellë pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim pa u dakorduar paraprakisht me vetë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore