Sport

Futbollistët serbë provokojnë pas ndeshjes Portugali – Serbi


Kombëtarja e Serbisë në futboll, ka arritur një kualifikim historik në Kupën e Botës, duke mposhtur Portugalinë në udhëtim me rezultat 1:2, në ndeshjen e fundit kualifikuese.

Pas ndeshjes, futbollistët serbë festuan, por nuk munguan as provokimet politike nga ana e tyre.

Tre nga lojtarët e përfaqësuese serbe, provokuan duke ngritur tre gishtat dhe duke bartur nga një fanellë që ishte bashkangjitur një hartë që e paraqet Kosovën dhe Malin e Zi si pjesë të Serbisë.

Në ato fanella, gjithashtu shkruhej kënga nacionaliste serbe, e cila ishte himni i protestave të kishës në Mal të Zi, ku këndohet “le të valëvitet flamuri serb nga Prizreni (Kosovë) deri në Rumijë (Mali i Zi)”.

Pas këtyre gjesteve provokuese nga ana e serbëve, pritet ndonjë reagim nga FIFA, pasi që kualifikueset e Kupës së Botës, organizohen nën patronazhin e shtëpisë së futbollit botëror.

Sa i përket ndeshjes, Serbia deri në fund ishte duke barazuar me rezultat 1:1 përballë Portugalisë, rezultat ky i cili nuk i dërgonte direkt në Kupën e Botës.

Por në minutën e fundit të takimit, Aleksandar Mitrovic i dha avantazhin serbëve, duke arritur një kualifikim direkt në Katar.

Derisa Portugalia mbetet ta kërkojë kualifikimin përmes ndeshjeve të play-off-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore