Sport

FIFA hap procedimin disiplinor kundër presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit


Organi drejtues i futbollit botëror ka hapur procedura disiplinore kundër presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales.

Kjo për shkak të sjelljes së tij në finalen e Kupës së Botës për femra.

Rubiales puthi në buzë sulmuesen Jenni Hermoso pasi Spanja mundi Anglinë.

FIFA do të shqyrtojë nëse këto veprime përbëjnë shkelje të nenit 13 të kodit të saj disiplinor, në lidhje me sjelljen ofenduese dhe lojën e ndershme.

“FIFA përsërit angazhimin e saj të palëkundur për respektimin e integritetit të të gjithë individëve dhe dënon fuqishëm çdo sjellje në të kundërtën”, thuhet në një deklaratë.

Referuar kodit disiplinor, zyrtarët duhet “të respektojnë parimet e lojës së ndershme, besnikërisë dhe integritetit”.

Po ashtu theksohet se masat disiplinore mund të merren kundër kujtdo që “shkel rregullat bazë të sjelljes së denjë, duke fyer një person fizik ose juridik në çfarëdo mënyre, veçanërisht duke përdorur gjeste, shenja ose gjuhë fyese ose duke u sjellë në një mënyrë që rëndon mbi reputacionin e sportit të futbollit dhe /ose FIFA-s”.

Festimi i Rubiales ishte në zonën VIP të Stadiumit Australia, ndërsa ai qëndronte pranë mbretëreshës Letizia të Spanjës dhe vajzës së saj 16-vjeçare.

Më pas ai e puthi Hermoson në buzë pasi asaj iu dha medalja e fitueses në podium.

Rubiales kërkoi falje, por kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka thënë se kjo nuk mjaftonte.

Kurse zëvendëskryeministrja e dytë Yolanda Diaz iu bashkua atyre që bënin thirrje që ai të jepte dorëheqjen.

Futpro, një sindikatë që përfaqëson Hermoso, ka thënë se incidenti nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

Lojtarja e Pachuca, e cila ka bërë 101 paraqitje, fillimisht kishte thënë në Instagram se “nuk i pëlqyen” veprimet e Rubiales.

Por një deklaratë e lëshuar më vonë në emër të saj e mbrojti atë.

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit kërkon falje për puthjen e Jenni Hermoso-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore