Lajme

Ferguson: Ka pak progres në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit – Kosova të nis formimin e Asociacionit


Edward Ferguson

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson, ka potencuar se si Kosova ashtu edhe Serbia janë treguar tejet të ngadaltë në përmbushjen e obligimeve që derivojnë nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit.

Thënë këtë, Ferguson potencon se Kosova ende nuk e ka nisur formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia vazhdon të tregohet penguese kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në pyetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, diplomati britanik potencon “nuk mund të spekulojë se çfarë do të vendosin vendet anëtare”, por që, në vlerësimin e tij, është e rëndësishme që “Kosova t’i zbatojë zotimet e bëra shumë kohë më parë për formimin e Asociacionit”.

“Mirëpresim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të futur në librat kadastral 25 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit. Britania ka kohë që e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës për të bërë këtë hap. Jemi të kënaqur që më në fund kjo çështje është zgjidhur”, ka thënë Ferguson në një intervistë për gazetën serbe, Blic.

I pyetur për propozimin e të dërguarit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duhet të zhvillohet në shembullin e Marrëveshjes së Premtes së Mirë (Marrëveshja e Belfast-it), e cila i dha fund konfliktit ndërmjet palëve kundërshtare në Irlandën e Veriut, 25 vjet më parë, Ferguson ka thënë se modeli i Irlandës së Veriut mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme për një kompromis në Kosovë.

“Nuk mendoj se Peach ka dashur të thotë se ky është një model i thjeshtë për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por ai sigurisht ka treguar se me vullnet politik dhe një qasje krijuese është e mundur të zgjidhen edhe mosmarrëveshjet më komplekse” .

Lajçak i zhgënjyer me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit: Niveli i besimit mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i ulët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore