Kosova

Lajçak i zhgënjyer me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit: Niveli i besimit mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i ulët


Miroslav Lajçak

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i zhgënjyer me progresin e arritur në raport me zbatimin e Marrëveshjes së Brukseli/Ohrit – e cila ka mbushur plotë 1 vit që nga dakordësimi.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, diplomati sllovak është shprehur i zhgënjyer edhe me faktin se ende shpenzohet energji dhe kohë për të diskutuar për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë, meqë niveli i besimit në mes të Kosovës dhe Serbisë është shumë i ulët.

“Ata duan të sigurohen që nëse bëjnë pjesën e tyre, edhe pala tjetër do të bëjë të tyren”, është shprehur ai.

Ndër të tjera Lajçak ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia nuk mund t’i ikin obligimeve të Marrëveshjes Bazë.

“Nuk ka marrëveshje më të mirë. Të dy e dinë dhe e pranojnë këtë”, ka potencuar Lajçak.

Diplomati sllovak gjatë intervistës gjithashtu ka potencuar se si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë prioritet strategjik integrimin në BE, rrugë kjo e cila, sipas tij, kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve.

“Të dy duan integrim, nuk kam asnjë dyshim. BE-ja ka qenë shumë e qartë: dera është e hapur. Por, kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve. Nëse ata janë seriozisht të interesuar për të ardhmen evropiane, ata e dinë se duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të bëhen bashkë. Ne nuk mund të bëjmë punën për ta. Ne nuk mund të duam normalizim më shumë se sa ata duan”.

I pyetur se kush do ta frenojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, meqë ai nuk po dëgjon këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së në raport me rregulloren e re të BQK-së, Lajçak nuk ka shprehur asnjë pikë dyshimi se Kurti do të jetë mjaft përgjegjës për të mos e vënë Kosovën në rrezik për izolim

“Ai po nxjerr përfundimet e duhura”.

Ndërkaq në pyetjen se a ekziston rreziku i një konflikti të ri në rajon, Lajçak ka qenë mjaft i qartë.

“Jo, nuk shoh oreks për konflikt atje, por ka tensione. Ka pasur dhunë. Kishte barrikada në dhjetor 2022. Ka pasur dhunë më 29 mars. Por, është ndryshe nga një konflikt. Unë nuk shoh potencial. Komuniteti ndërkombëtar është i pranishëm. Do të preferoja që vendet të fokusoheshin më shumë në të ardhmen dhe më pak në të shkuarën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore