Sport

Europa League/ Shansi i fundit për Real Sociedad-in, Napoli-n dhe Leicester-in


UEFA Europa League do të luajë ndeshjet e fundit të fazës së grupeve për këtë sezon. Janë 16 sfida që do të luhen këtë të enjte të 9 dhjetorit në këtë kompeticion.

Takimet do të jenë shansi i fundit për disa skuadra të mëdha evropiane për një biletë për në raundin tjetër të Europa League-s. Napoli, Real Sociedad-i dhe Leicester-i janë me një këmbë jashtë raundit të 32-ve.

Në katër grupet e para, A, B, C dhe D, ndeshjet do të luhen duke filluar nga ora 18:45. Në Grupet E, F, G dhe H ndeshjet do të luhen duke filluar nga ora 21:00.

Grupi A

Lyon-i do të përballet me skocezët e Rangers-it. Të dy skuadrat janë kualifikuar tashmë për në raundin tjetër të Europa League-s.

Sfida tjetër do të jetë mes Sparta Praha-s dhe Brondby-t. Skuadrat luftojnë për një biletë për në raundin tjetër të UEFA Conference League-s.

Grupi B

Real Sociedad-i ka një përballje direkte me holandezët e PSV Eindhoven-it, për një vend në raundin e të 32-ve. Për miqtë mjafton edhe një barazim për të kaluar në raundin tjetër.

Monaco do të përballet me Sturm Graz-in në transfertë. Një ndeshje që vlen më shumë për statistikë, pasi francezët janë kualifikuar si vendi i parë në grup. Austrikët nga krahu tjetër, janë jashtë Kupave të Evropës.

Grupi C

Në këtë grup, asnjë nga katër skuadrat që bëjnë pjesë nuk është kualifikuar për në raundin tjetër. Dy duelet e kësaj të enjte do të përcaktojnë dhe dy skuadrat që do të kalojnë më tej dhe cila do të shkojë në Conference League.

Legia Warszawa-s ku luajnë shqiptarët Ernest Muçi, Lirim Kastrati dhe Jurgen Çelhaka do të përballet me rusët e Spartak Moscow-s. Italianët e Napoli-t përballen me anglezët e Leicester-it.

Grupi D

Fenerbahçe pret Eintracht Frankfurt-in. Gjermanët janë të kualifikuar për në raundin e të 32-ve. Turqit janë të kualifikuar për në raundin tjetër të Conference League-s.

Royal Antwerp-i përballet me Olympiacos-in. Grekët gjithashtu janë të kualifikuar për në raundin tjetër, por do të provojnë të arrijnë vendin e parë në grup, duke shpresuar dhe te humbja e Eintracht-it.

Grupi E

Lazio përballet me Gallatasaray-n. Të dy skuadrat janë të kualifkuara tashmë. Marseilla përballet me Lokomotiv-ën e Moskës, për një biletë për në raundin tjetër të Conference League-s. Francezët mjaftohen dhe me një barazim.

Grupi F

Ludogorets-i përballet me Midtjylland-in. Vendasit janë jashtë raundit tjetër në Kupat e Evropës. Për danezët ka një shpresë për të kapur raundin tjetër të Europa League-s në rast fitoreje. Në të kundërt, kalojnë në Conference League.

Braga përballet me Crvena Zvezda-n. Serbët janë në krye të grupit aktualisht, por nuk e kanë siguruar ende biletën për raundin tjetër. Situatë e ngjashme dhe për portugezët, që janë me një këmbë jashtë raundit tjetër.

Grupi G

Celtic-u përballet me Real Betis-in. Miqtë janë kualifikuar për në raundin tjetër të Europa League-s. Vendasit kanë siguruar biletën për në raundin tjetër të Conference League-s.

Ferencvarosi i Myrto Uzunit do të përballet me Bayer Leverkusen-in. Gjermanët janë të kualifikuar tashmë për në raundin tjetër. Hungarezët janë jashtë raundit tjetër të Kupave të Evropës.

Grupi H

Genk-u do të përballet me Rapid-in e Vjenës. Belgët në rast fitoreje kanë shpresë për të siguruar një vend në raundin e të 32-ve në Europa League. Por, gjithçka do të varet dhe nga ndeshja tjetër e këtij grupi.

West Ham-i është i kualifikuar tashmë për në raundin tjetër. Ndeshjen e fundit do e luajë përballë Dinamo-s së Zagrebit. Miqtë mjaftohen me një barazim për të siguruar kualifikimin për në raundin tjetër, në rast se Genk-u fiton. Në të kundërt edhe nëse humbin, kualifikohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore