Lajme

Elmi Reçicës “nuk i kujtohet” që Driton Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend


Deputeti i PDK-së Elmi Reçica duke deklaruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e ish deputetit të VV, Driton Çaushi, për hedhjen e gazit lotsjellës

Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë, në rastin që kjo e fundit po e akuzon tani ish-deputetin e Vetëvendosjes, Driton Çaushin se “ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare kryetarin e Kuvendit dhe deputetët”, në vitin 2016.

“Saktësisht nuk më kujtohet kush ka hedh gaz lotsjellës”, ka deklaruar Reçica të enjten në seancën që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Vetëm e di që ka pas një reagim të shpejtë, ka pas tym, nëpër tym e kemi votu çështjen për të cilën është mbledh komisioni pastaj kemi dalë shumë shpejt sepse ka qenë e pa mundur me qëndru në sallën ku është mbajt takimi i këtij komisioni”, deklaroi më tej Recica.

Fotografi nga salla ku Komisioni parlamentar për punë të jashtme po mbante takim, 10 gusht 2016

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Besart Musatafa, dëshmitari Reçica deklaroi se më 9 gusht 2016 kishte marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Politike të Jashtme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, pasi që i njëjti ishte kryetar i këtij komisioni.

Rçica ka deklaruar se i kujtohet që në atë takim ishte hedhur gaz lotsjellës për pengimin e zhvillimit të atij takimi, por jo nga kush.

Për më tepër Reçica ka thënë para gjykatësit se nuk i kujtohet edhe nëse i akuzuari Çaushi ishte prezent në atë mbledhje, pasi sipas tij deputeti në fjalë nuk ishte anëtar i këtij komisioni.

“Sa më kujtohet mua, deputeti i atëhershëm nuk ka qenë pjesë e komisionit, sa më kujtohet”, vazhdoi më tej Reçica.

Fotografi nga salla ku Komisioni parlamentar për punë të jashtme po mbante takim, 10 gusht 2016

Por kujtesë më të fortë në këtë rast kishte prokurori i rastit Besart Mustafa. Në video-incizimet që zotëron prokuroria si prova, ish deputeti i Vetëvendosjes Dritan Çaushi, është parë në sallë.

“Derisa sa keni qenë duke e udhëheq seancën e Komisionit për Politikë te Jashtme nga video incizimet shihet se në anën e majtë tënde në vendin ku ka qenë i ulur edhe i pandehuri, atëherë deputet i Kuvendit të Kosovës është hedh gaz lotsjellës”, ia kujtoi prokurori Mustafa, situatën deputetit Reçica.

Reçica më tej ka deklaruar se me rregullore ka qenë e mundur që të marrin pjesë edhe deputetë tjerë në këto takime “edhe deputet që nuk janë anëtarë të komisionit”, por të njëjtit kanë mundur të ulen më larg anëtarëve të komisionit.

Në fund Reçica ka shtuar se derisa ai ishte në këtë pozitë, ky ishte rasti i vetëm kur ishte hedhur gaz lotsjellës, ndërsa sipas tij në sallën për seancën plenare ka pas dhjetëra herë të hedhjes së gazit lotsjellës.

Për 22 vjet rreth 67 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë dhe shumica e këtyre të dënuarve nuk janë serbë, por shqiptarë.

Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtës së të akuzuarit Çaushi, i cili ka shfrytëzuar të drejtën e tij “për t’u mbrojtur në heshtje”.

“Unë preferoj me u mbrojt në heshtje, i qëndroj prapa deklarimit tim rreth fajësisë pasi që nuk e di veten fajtor”, deklaroi para gjykatësit i akuzuari Çaushi.

Pas deklarimit të të akuzuarit rreth mbrojtjes së tij, prokurori Mustafa dha fjalën përfundimtare.

Ai i propozoi gjykatësit që Çaushin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit “si dhe të marrë parasysh rrethanën se Çaushi veprën penale e ka kryer për qëllime të pakënaqësisë politike dhe jo motive personale”.

Prokurori Mustafa deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas dëgjimit të dëshmitarëve, e veçanërisht dëshmitari Reçica, administrimit të provave dhe nga video-incizimi është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri Çaushi ka kryer veprat penale që i vihen në barrë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 12 tetor 2021.

2016, Kuvendi i Kosovës

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit, ku thuhet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Prokuroria gjithashtu e ngarkon Çaushin edhe me veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar-dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

2016, Kuvendi i Kosovës

Shkak për hedhjen e gazit lotsjellës në këtë takim të Komisionit Parlamentar për Politika të Jashtme më 10 Gusht të vitit 2016, u bë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. I cili u votua edhe pas incidentin që ndodhi në këtë komision.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore