Sport

E thotë edhe trajneri i Belgjikës, Lukaku është afër largimit nga Chelsea


Romelu Lukaku u rikthye me shumë bujë te skuadra e Chelsea-t verën e kaluar, me londinezët që paguan rreth 115 milionë euro në arkat e Interit, për ta sjellë sulmuesin belg në “Stamford Bridge”.

Megjithatë, planet nuk shkuan ashtu siç u menduan, me Lukaku-n i cili tashmë nuk është një titullar i padiskutuar në formacionin e trajnerit, Thomas Tuchel.

Ky i fundit nuk është duke e inkuadruar belgun në formacionin titullar, gjë që ka ndikuar edhe te kombëtarja e Belgjikës, ku 28 vjeçari nuk u grumbullua për ndeshjet miqësore të muajit mars.

Për këtë gjë foli edhe përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili tha se pret që Lukaku të ndërrojë skuadër gjatë verës, në mënyrë që të luajë rregullisht.

“Lukaku nuk po kalon një moment të mirë te Chelsea dhe ndaj e lashë pushim këtë herë, por për skuadrën që do të marr në Katar, do të nis vlerësimet vetëm në muajin shtator”

“Romelu ka nevojë të ndihet i vlerësuar dhe pres që gjatë verës të ndërrojë skuadër, për të gjetur dëshirën e të luajturit futboll”

“Edhe Hazard ka nevojë të ndërrojë ambient dhe të tregojë aftësitë e tij, pasi kështu do të na ndihmonin më shumë në Botëror”, u shpreh Martinez.

Sulmuesi belg po shtyn drejtuesit e Chelsea-t ta lejojnë të rikthehet te Interi, qoftë edhe në formë huazimi, teksa për të kanë shfaqur interes edhe klube si Paris Saint Germain, Bayern Munich e Borussia Dortmund.

Kujtojmë që nga rikthimi në Premier Leauge, Lukaku ka shënuar 12 gola dhe ka dhuruar dy asistime në 35 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Chelsea-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore