Gjykata Speciale

Dy seanca anulohen në gjykimin ndaj Pjetër Shalës


Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Dy seanca që ishin planifikuar për t’u mbajtur në Dhomat e Speicalizuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, janë anuluar.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Pas përfundimit të seancës së të martës, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, i kishte njoftuar palët se për vazhdimin e seancave tjera do të njoftohen përmes email-it.

Ndërsa, dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka deklaruar se gjatë luftës s’ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

Gjatë pyetjeve të avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen, lidhur me atë se a e ka njohur ndonjë person me këtë nofkë ai ka mohuar këto pretendime.

Teksa, është pyetur edhe për qëndrimin e tij në Fabrikën e Metalit në Kukës se a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, por që ka refuzuar të përgjigjet.

Naser Koqinaj, dëshmitar në rastin e Pjetër Shalës.

Në seancën para kësaj dëshmitari Koqinaj, i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.

Koqinaj nga avokati Gilissen, ishte pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.

Dëshmitari Koqinaj, ka thënë se “në UÇK jam kyçur në vitin 1998 dhe kam vazhduar angazhimin në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it jam kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren”.

Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte informacione se kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj dhe për doktorin Ilir Rakaj.

Por që përgjigjet e Koqinaj në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse s’janë dëgjuar.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore