Lajme

Çuditet Kurti: “Aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për rritjen e çmimit të energjisë, ka thënë se kurrë s’ka pasur numër më të madh të qytetarëve se në këto 4 vjet e fundit, që s’e dinë as sa e paguajnë energjinë elektrike, pasi çmimi i energjisë ka qenë aq lirë”.

“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa në këto 4 vjet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur se sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur se sa e ka pasur faturën s’ka pasur ndonjëherë. S’po them që janë shumica të tillë, por numër më të madh s’ka pasur ndonjëherë”, është shprehur Kurti.

Ai tha se përveç rritjes së çmimeve në vend, ka pasur edhe rritje të kërkesës për energji elektrike që ka cenuar sigurinë e furnizimit, andaj ka përmendur edhe çështjen e bllok-tarifës, ku tha se duhet të shihet se si do të shpërndahet barra.

“Te bllok-tarifa duhet të shihet se si do të shpërndahet barra ndërmjet konsumatorëve të vegjël e të mëdhenj, atyre me të ardhura më të ulëta e të larta, mes amvisërive e bizneseve, mes të tashmes dhe të ardhmes dhe kjo detyrë i është besuar rregullatorit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka ironizuar me situatën, duke thënë se “nuk duam reduktime, s’duam të paguajmë e duam që Kurti të gjejë zgjidhje, është njësoj si të kërkohet nga unë që ta mbajë ditë gjatë 24 orëve e të mos lejojë që të bie nata”, ka thënë ai

“Në çfarë mase për këtë vendim duhet të drejtohet gishti nga qeveria? Të thuhet se ne kemi votuar për këtë qeveri, duam të konsumojmë energji me çmim astronomik, nuk duam reduktime, s’duam të paguajmë e duam që Kurti të gjejë zgjidhje, është njësoj si të kërkohet nga unë që ta mbajë ditë gjatë 24 orëve e të mos lejojë që të bie nata”.

Kurti: Qytetarët kanë fantazi, mirëpo s’mund të mos shtrenjtohet rryma

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk ka mund të ketë zgjidhje të lehtë dhe optimale në rastin e krizës energjetike, me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim.

Në seancën e jashtëzakonshme, Kryeministi Kurti tha se çkyçja, si alternativë e mosshtrenjtimit të rrymës, do të kishte pasoja të rënda.

“Nuk ka zgjidhje të lehtë. Nuk ka zgjidhje optimale, sepse kriza është e rëndë dhe e thellë. Unë nuk jam për çkyçje të konsumtorëve – qofshin biznese apo amvisëri – nga rrjeti i energjisë elektrike, jo vetëm për shkak se ajo atakon mirëqenien e qytetarëve drejtpërsëdrejti dhe thelbësisht, por edhe për shkak se me trafo të amortizuara, me rrjetin e lodhur të shpërndarjes, do të paguajmë kosto shumë më të lartë në vitet në vijim”, tha ai.

Sipas kryeministrit, nëse dëshirojmë që të mos ketë reduktime, duhet ta kuptojmë që duhet të ketë shtrenjtim të rrymës dhe një subvencionim nga shteti.

“Çdo kyçke-çkyçje po ka pasoja. Mirëpo nëse jemi që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike, duhet ta kuptojmë që duhet të kemi ose subvencionim nga shteti, ose shtrenjtim të energjisë elektrike, ose kombinim të këtyre të dyjave për ta gjetur njëfarë mesi të artë në një situatë ku nuk ka zgjidhje të mirë. Nuk ka mundësi tjera”, tha ai.

Të kërkosh që as të mos shtrenjtohet energjia elektrike, as të mos subvencionojë shteti 75 milionë euro, as të mos çkyçen konsumatorët, Kurti tha se është e pamundur.

“Unë e di që nuk ka dëshira ilegale. Qytetarët kanë fantazi. Mund të fantazosh dhe imagjinosh unë edhe ju çka të duam, mirëpo nuk është e mundshme as të mos shtrenjtohet, as të mos subvencionojmë dhe as të mos ketë çyçje”, tha ai.

Kurti: KEK-u është shitur “më lirë se badihava”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur dy probleme, që sipas tij janë kryesoret të dekadës së fundit.

I pari sipas Kurtit është ai i 17 tetorit të vitit 2012, ku është marrë vendimi për shitje të aksioneve të KEK-ut, dhe se sipas tij Kosova nuk do të ndodhej në këtë situatë sikur të mos kishte monopol privat në këtë fushë.

“Dy probleme kryesore të dekadës së fundit, i pari është ai i 17 tetorit të vitit 2012. Vendim për shitje të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.  Nuk do të ndodheshim në këtë situatë, sikur të mos kishim monopol privat në këtë fushë. Dhe, kemi pasur një shitje, prej 26.3 milion eurove, pra një shitje që populli ynë e ka një fjalë ‘më lirë se badihava’”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, problemi i dytë sipas Kurtit është ajo e datës 31 mars 2017 ku është marrë vendimi i heqjes së bllok-tarifës.

“Konsumatorët me konsum më të ulët subvencionojnë konsumatorët me konsum më të lartë, rrezikim i sigurisë së furnizimit, rritje e kostos së shërbimit”.

Më tej, ai i është drejtuar opozitës se idetë që ata po i japin sot atij, partia që ai e udhëheq, Vetëvendosje, i ka në program që nga viti 2013.

“Pra, këto dy janë probleme kapitale që i kemi trashëguar. Unë ju falënderoj për idetë se si të dalë nga kriza, por këto ide të reja janë në programin e subjektit që unë e drejtoj që nga viti 2013”, është shprehur Kurti,

PDK me tetë rekomandime, një ndër to mos shtrenjtimi i rrymës për qytetarët

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së si iniciues i debatit për shtrenjtimin e rrymës, deputeti Ferat Shala ka dhënë tetë rekomandime për Qeverinë se si të dilet nga kriza energjetike dhe për të mos e miratuar raportin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Deputeti Shala ka thënë se të gjitha resurset e këtij vendi i ka në dorë kryeministri Kurti për t’u përballuar me krizën energjetike dhe për të ndaluar shtrenjtimin e rrymës.

“Të gjitha resurset i ke në dorë kryeministër”, i ëhtë drejtuar Shala, Kryeministrit Kurti, “dhe po ti numëroj disa ide duke e plotësuar edhe kërkesën të parafolëses time, sepse po më duket që edhe ajo nga një herë po harron. Në një fillo, menjëherë me planifikimin dhe rivitalizimin e Termocentraleve A dhe B, ashtu siç ju mendoni dhe na krijo stabilitet energjetik”.

“Fillo po ashtu menjëherë me përgatitjet dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja nëse guxon energjetike nga thëngjilli. Fillo po ashtu për zgjerimin e kapaciteteve të reja energjetike nga era në Shalë të Bajgores, ende ka kapacitete dhe fusha deri tek bjeshkët e Llapit… dhe Pika e tetë të mos miratohet raporti i ZRrE-së për tarifat”, theksoi ai.

Ndër rekomandimet e PDK-së, ishte edhe nisja e projektit për gazin.

Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kundërshtuar rritjen e energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për 20 vjet qytetarët e kanë paguar rrymën më së liri në Rajon dhe Evropë, por siç tha ai, sot iu kanë shkundur themelet.

Ai tha se Qeveria Kurti ka shpërfillur krizën për energjinë elektrike në kohën kur shtetet e Rajonit dhe Evropës filluan të merrnin masa.

“Kur vendet e Rajonit tonë dhe Evropës filluan të merrnin masa, Qeveria jonë qëndroi neglizhente. Këtë vit është paralajmëruar që do të ketë shumëfishim të çmimit dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Jemi këtu për paaftësinë e Qeverisë përball krizës sepse e ka shpërfillur këtë krizë, nuk po shkojmë më larg veçse tek shtetet e Rajonit. Qeveritë e vendeve në Rajon e kanë kuptuar sfidën që kishin përpara dhe patën nisur të merrnin masa”.

​Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se refuzimi i temës për shtrenjtimin e rrymës nga ana e Qeverisë, tregon një frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Abdixhiku tutje tha se kjo shpërfaq një lloj hipokrizie politike në kuvend, po konsensusi politik kërkohet, por nuk jepet.

“Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndaj besimin se shtrenjtimi i energjisë elektrike në formatin që është bërë është i papërballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore