Lajme

Debati për shtrenjtimin e energjisë elektrike: “Tarifat e reja s’janë finale”


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme për të diskutuar rreth shtrenjtimit të tarifës së energjisë elektrike të propozuar nga ZRRE.

Me të marrë fjalën, Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka adresuar kritika ndaj partive opozitare për manipulim me opinionin publik, lidhur me propozimin e ZRrE-së për rritjen e tarifave për energji elektrike.

Në debatin parlamentar për krizën energjetike, Kusari-Lila tha se Qeveria po punon për të gjetur zgjidhje që shtrenjtimi i energjisë të ketë ndikim të vogël te qytetarët.

“Seanca e sotme do të arsyetohej sikur të kishte për qëllim ofrimin e zgjidhjes konkrete, apo alternativave të pa shqyrtuara nga autoriteti i cili ka vendosur në diskutim publik, shqyrtimin e strukturës tariforeve për konsumatorët të ZRrE-së. Se opozita nuk e ka seriozisht diskutimin përmbajtjesor të kësaj çështje e kuptuam edhe ditën e enjte”, tha ajo.

Nga ana tjetër, deputetja e mazhoracës tha se krizën energjetike nuk e krijoi ekzekutivi.

“Ka ende mundësi për shqyrtim të modeleve me ndikim të vogël dhe mekanizma mbrojtës të interesave të qytetarëve të vendit tonë. Kjo është për çfarë po angazhohemi bashkë me qeverinë në ditët dhe orët në vijim”.

“Qeveria e Kosovës për të dëshmuar angazhimin dhe përkujdesen maksimal ndaj qytetarëve në momentin kur ZRrE-ja e hapi shqyrtimin e jashtëzakonshëm të hyrave të lejuara dhe sistemin e ri tarifor ndau 75 milionë euro subvencion për të amortizuar ndikimin e rritjes së çmimit tek qytetarët. Është e njëjta qeveri që deklaroi se tarifat nuk janë finale dhe mund të konsiderohen, pasi konsulta është e hapur deri më 29 janar”, tha ajo.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Kusari-Lila thuri edhe lavde ndaj Qeverisë Kurti, ku tha se e njëjta po dëshmon se kursen buxhetin dhe mbron interesin e qytetarëve.

Abelard Tahiri, Shef Grupit Parlmentar të PDK-së

Tahiri për shtrenjtimin e energjisë elektrike: Thellimi në mjerim që ka vulën e Qeverisë Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për 20 vjet qytetarët e kanë paguar rrymën më së liri në Rajon dhe Evropë, por siç tha ai, sot iu kanë shkundur themelet.

Ai tha se Qeveria Kurti ka shpërfillur krizën për energjinë elektrike në kohën kur shtetet e Rajonit dhe Evropës filluan të merrnin masa.

“Kur vendet e Rajonit tonë dhe Evropës filluan të merrnin masa, Qeveria jonë qëndroi neglizhente. Këtë vit është paralajmëruar që do të ketë shumëfishim të çmimit dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Jemi këtu për paaftësinë e Qeverisë përball krizës sepse e ka shpërfillur këtë krizë, nuk po shkojmë më larg veçse tek shtetet e Rajonit. Qeveritë e vendeve në Rajon e kanë kuptuar sfidën që kishin përpara dhe patën nisur të merrnin masa”.

“Kryeministri Kurti për herë të pari foli për krizën kur filluan reduktimet, është dashur të ndalet rryma për t’u ndezur Qeveria jonë. Kur u dhez kryeministri, u dhez Ministria, KEDS-i e ZRrE. Kur hasën në reagime, Qeveria filloi të arsyetohet, na tha që është shumë e lirë prandaj duhet të shtrenjtohet për t’u bazuar në kosto reale. I njëjti kryeministri potenconte që rryma në Kosovë është shumë e shtrenjtë dhe ajo duhet të lirohet. Kur jemi të sigurimi i rrymës dhe largimi i reduktimeve tha që këtë diferencë dikush ta paguajë, por çështja është me çka?”, ka shtuar ai.

Tahiri mes tjerash tha se shtrenjtimi i rrymës është goditja më e madhe që mund t’i bëhet ekonomive familjare dhe qytetarëve të Kosovës.

“Kryeministër je duke i detyruar qytetarët të paguajnë kosto të padrejtë, por koston e paaftësisë tënde nuk e di kush do ta paguajë. shtrenjtimi është i papranueshëm, zgjidhjen e keni neglizhuar, zgjidhjen s’mund ta bëni në dëm dhe kurriz të qytetarëve. Që nga gushti kjo krizë na trokiti në derë dhe kryeministri vendos rekord, në janar i informon qytetarët që në shkurt kanë me pagu rrymë 100% më shtrenjtë. S’është është thjesht një shifër, në realitet kjo shifër përkthehet në para, të cilat sot i kanë vështirë t’i siguroj qytetarët. A duhet të hyjnë në kredi të mbulojnë koston e krizës? Kjo është thellim në mjerim që e ka vulën e Qeverisë së Albin Kurtit. Me qeverisjen tënde qytetarët do ta paguajnë rrymën më së shtrenjti në Evropë”, tha Tahiri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Abdixhiku: Reagimi i vonshëm i Qeverisë për rrymën, tregon frikë të pashpjegueshme të pushtetit

​Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se refuzimi i temës për shtrenjtimin e rrymës nga ana e Qeverisë, tregon një frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Abdixhiku tutje tha se kjo shpërfaq një lloj hipokrizie politike në kuvend, po konsensusi politik kërkohet, por nuk jepet.

“Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndaj besimin se shtrenjtimi i energjisë elektrike në formatin që është bërë është i papërballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror”.

Ai tha se Qeveria e nisi me tre muaj vonesë nga vendet e Rajonit shqetësimin për krizë energjetike, dhe gjashtë muaj nga vendet evropiane.

“Institucionet e Kosovës, Qeveria në vazhdimësi e kishin mohuar se në Kosovë kishte krizë. Reagimi i vonshëm është rezultat i paaftësisë që ka sjell fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve. Tani mohimi i krizës natyrisht se shkakton dëm, dhe dëmi për kosovarët do të arrijë nga 150 milionë në 200, varësisht se sa i ftohtë është ky dimër. Një pjesë e kësaj shume paguhet nga buxheti, pjesa tjetër nga konsumi familjar. Në të dyja rastet,  janë qytetarët që e paguajnë këtë shumë”.

“Kriza globale domosdo ka shkaktuar nevojën e subvencionimeve, por çështja që duhet ngritur është shumë e thjesht, e para sikur të reagonit me kohë, a do të ishte kjo shumë më e vogël se është sot, kush duhet të paguajnë përgjegjësi për milionat e djegura dhe e dyta, tani që dëmi enorm është bërë, si duhet ta paguajmë dhe a mund ta paguajnë qytetarët tanë këtë dëm”.

“Krizë energjetike kanë edhe fqinjët tanë, por si është e mundur që asnjëri nga ta nuk i ka arritur as për së afërmi çmimet siç ka bërë Qeveria jonë. Ky kuvend duhet të refuzojë vendimin e ZRrE-së. Sikur Qeveria të paralajmëronte këtë rritje muaj më parë, ndoshta mund të kishte kuptim, por paralajmërimi i rritjes së çmimeve në mes të dimrit, është dënim”, tha Abdixhiku.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri

Besnik Tahiri – Qeverisë: Me rritjen që po e bëni ju qytetari i Kosovës do ta paguajë rrymën si ai në Paris e shumë vende të Evropës

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, se çështja e ngritjes së çmimeve të energjisë nuk duhet të ndodhë.

‘‘Po flejmë në qymyr e rryma është shtrenjtë, spo dojmë investime të amerikanëve e as gazit se e rrisin çmimin’’, tha Tahiri, duke ia kujtuar deklaratat e mëhershme Kurtit.

Ai tutje shtoi se erdhën në Qeveri krejt e drejt, shpresë e kiamet, dhe sipas Tahirit pernime e bëri kiamet.

Gjithashtu, Tahiri tha se ngritjen e çmimit nuk do ta lejojnë të ndodhë.

“Seanca e sotme nuk është se kush kënd po e kritikon më shumë, por një seancë e reflektimit dhe ta vendosin gishtin në kohë. Ky shtrenjtim nuk do të ndodh për një muaj. Vërtetë e bëri kiametin me çmimet që po i rritë. S’ka logjikë që qytetari i Kosovës, ai që shpenzon 800 kw energji të paguajë si ai në Paris a në vende të tjera të Evropës”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore