Lajme

Cramon: Varhelyi është njeri i Orbanit që qëllimisht i shkroi Vuçiçit raport pozitiv


Komisioneri për Zgjerim në Bashkim Evropian, Oliver Varhelyi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon përmes një shkrimi autorial në gazetën Euractiv e ka akuzuar Oliver Varhelyin, Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian si “njeri të (Viktor) Orbanit” që i ka shkruar “raport pozitiv Serbisë” për t’i dhënë diçka Vuçiçit për zgjedhje.

“Varhelyi është njeri i gabuar dhe në vend të gabuar”, ka shkruar Cramon.

“Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është një shembull i hapur se si standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën një Komisioner që përfaqëson ideologjinë e Viktor Orbanit”, shkruan Viola von Cramon.

“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe shkatërron demokracinë nuk mund të jetë një shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat luftojnë me rrugët e tyre të tranzicionit demokratik”.

Komisioneri për Zgjerim në Bashkim Evropian, Oliver Varhelyi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Megjithatë, më e keqja ka ardhur me Paketën aktuale të Zgjerimit 2021”, bën të ditur Cramon, veçanërisht në “Vlerësimin vjetor të Komisionit për gatishmërinë dhe arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugët e tyre drejt BE-së”.

“Komisioni ka shkuar zyrtarisht nën standardet e veta dhe ato evropiane, duke e zbutur raportin e Progresit të Serbisë 2021 mbi standardet e sundimit të ligjit në veçanti”, potencon Viola con Cramon.

“Ky është shembull flagrant se si Komisioni Evropian u politizua”, shkruan Cramon, “për interesin e boshtit Orbán-Vuçiç dhe se standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën mbikëqyrjen e Komisionit”.

“Opozita serbe, OJQ-të dhe mediat e pavarura janë nën presion të madh nga regjimi dhe së fundmi kanë mbajtur demonstrata duke argumentuar se spekulimi politik rreth notave pozitive në raportin e Progresit mund të jetë gozhda e fundit në arkivolin e integrimit të Serbisë në BE”, vazhdon shkrimi.

BE-ja duhet të rivendosë besueshmërinë e saj duke zbatuar kushtëzimin e rreptë dhe vlerësimin e drejtë dhe jo thjesht duke pretenduar se e bën këtë, potencon Cramon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore