Shqipëria

Cilat janë 3 akuzat që rëndojnë mbi Arben Ahmetajn dhe sa vjet burg rrezikon


Ish-zëvendëskryeministri shqiptar, Arben Ahmetaj, mund të arrestohet në ditët në vijim, pasi Prokuroria e Posaçme SPAK ka depozituar një kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon autorizim për arrestimin e tij në bazë të disa akuzave.

Ahmetaj, i përfolur prej kohësh për çështjen e njohur si “Inceneratorët”, e ka shkelur ligjin në tre pika, në bazë të akuzës së SPAK.

E para, lidhet me korrupsionin dhe në bazë të ligjit, është e dënueshme nga 4 deri në 12 vjet.

E dyta, lidhet me pastrimin e parave dhe kjo është një vepër me pasoja më të rënda penale, e cila është e ndëshkueshme ligjërisht nga 7 deri në 15 vjet burg. Kjo e fundit më së shumti në raste kur ka sjellë pasoja të rënda.

Akuza e tretë lidhet me deklarimin e rremë dhe fshehjen e pasurisë, e cila është një akuzë më e lehtë dhe mund të dënohet qoftë me burgim deri në 3 vjet, por edhe thjesht me gjobë.

Në rastin e Ahmetajt, ajo çfarë pritur paraprakisht është drita jeshile e Kuvendit, sa i takon heqjes së imunitetit që ai gëzon si deputet.

Më pas, të shihet çështja në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Ahmetaj do të kthehet edhe në ish-zyrtarin më të lartë shqiptar, i cili ka një çështje të hapur me drejtësinë (si zëvendëskryeministër).

SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore