Sport

Challandes iku, çka tash? Analistët flasin për Albanian Post


Gjatë pasdites së sotme, në një konferencë për media, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri Bernard Challandes, zyrtarizuan përfundimin e bashkëpunimit.

Nga sot e tutje, ai nuk do të jetë pjesë e Kosovës.

Por, çka tash?

Kosova ka pak kohë deri në ndeshjet e nëntorit që të gjejë një trajner tjetër, por a duhet me të vërtetë të nxitohet?

Për Albanian Post, se çka vjen tash, flasin analistët Genc Sermaxhaj dhe Bylbyl Sokoli.

“Nuk duhet të humbet shumë kohë në zgjedhjen e trajnerit tjetër”, thotë Sermaxhaj, “sepse çdo vonesë na kushton për vëzhgimin e lojtarëve, formën, mënyrën e lojës dhe shumë gjëra të tjera”.

Por, sipas Sokolit, zgjidhje më e mirë do të ishte nëse “Challandes do të vazhdonte deri në përfundimin e këtij cikli kualifikueses”.

Edhe pse, sipas tij, “zvicerani shihet qartë se ka humbur kontrollin mbi këtë grup të futbollistëve”.

Challandes vlerësohet shumë si trajner, nga të dy analistët, dhe periudha e tij në klub ka qenë mësim i nevojshëm për ne.

“Periudha e Challandes përfundoi, por nga ajo kemi mësuar shumë se si ai ndjente dhe i qasej lojës së futbollit”, thotë Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj, trajner i moshave te Drita dhe analist i futbollit

“Ndikojnë shumë gjëra për të patur ose jo sukses në futboll, megjithatë ai u dëshmua si një trajner me aftësi e njohuri të mëdha për lojën e futbollit”, shton ai.

Se ashtë i drejtë apo jo vendimi, analistët shprehen:

“Mendoj se duhej pritur deri në nëntor, pastaj të zgjidhej trajneri i ri”, thotë Sokoli.

“Ata që janë kompetent e vlerësuan si të duhur”, shton Sermaxhaj, “por mbetet për t’u parë me kohë se ishte vendim i drejtë”.

Për trajnerin e ri, Sermaxhaj thotë se “profili i trajnerit duhet të jetë i ngjashëm me të Challandes-it, i cili aplikon lojë ofanzive me pasime të sakta e të shkurtëra, lojë kreative e të shpejtë, që përmes saj të krijohen shumë raste”.

“Duhet të jetë autoritativ dhe me reputacion”, thotë Sokoli.

Bylbyl Sokoli, analist dhe ish-trajner i futbollit kosovar

Nacionaliteti i pasardhësit të Challandes nuk ka rëndësi të madhe, sipas tyre.

“Mund të jetë edhe shqiptar por edhe i huaj”, shprehet Sokoli, “nuk luan edhe shumë rol”.

“A duhet të jetë zjerman apo zviceran apo çka do qoftë, nuk është me rendesi”, thotë Genci.

“Me rëndësi është ideja e trajnerit dhe njohuritë e tij për lojën bashkëkohore”.

“Por”, vazhdon Sermaxhaj, “nuk dua të mohoj ose të nënvlerësojë asnjë trajner shqiptar”

“Jemi vend në zhvillim, dhe na duhet dikush që ka më shumë njohuri, përvojë dhe ide kreative për futbollin modern, gjithashtu të jetë një përzgjedhës i mirë dhe vlerësues për futbollistët e shumtë kosovarë që militojnë nëpër ligat evropiane”.

Për fund, Sermaxhaj shton që trajneri “poashtu e rëndësishme është të jetë personalitet i lartë, karakter karizmatik, me karrierë më të madhe edhe si-ish futbollist, por dhe si trajner përdallim me lojtarët aktual të Kosovës”.

Kosova po futet në një epokë të re, por të panjohur për futbollin tonë.

Vendimi që merret tani, do të jetë shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë dhe të ardhmen e përfaqësueses, në ndjekje të ëndrrës për pjesëmarrje në një kompeticion madhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore