Shqipëria

Çështja e hapjes së negociatave është punë ditësh, sipas Varhelyit


“Mbetem me shumë shpresë, që ne po flasim për çështje ditësh, sesa çështje muajsh, apo vitesh”.

Kjo është deklarata e komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, mbi integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, shpresë ka se Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes dy vendeve ballkanike dhe BE-së mund të miratohet për mbajtje brenda qershorit, duke hapur kështu zyrtarisht procesin e negociatave dhe anëtarësimit në union.

“Sigurisht që ne shpresojmë, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullgari”, deklaroi Varhelyi.

Më tej, ai foli edhe për ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili po pengon procesin anëtarësues edhe për Shqipërinë.

“Nuk jam në dijeni të asnjë kuadri negociues. Ne kemi dijeni vetëm për një ngërç total (bllokim total) në Sofje. Nuk jam i kënaqur me këtë, pasi unë kam shpenzuar çdo të martë të dytë të muajve për të shkuar në Bullgari të mësoja nëse kishte një rrugë zhbllokimi”, vijoi më tej ai.

Sipas komisionerit, politikat e brendshme janë të afta për të testuar besueshmërinë e BE-së. Ndaj, aktualisht, ai nuk beson se mund të flitet për një kuadër negociaues.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me homologun e saj të Këshillit të Evropës, Charles Michel, kanë shpresa për hapjen e negociatave brenda presidencës franceze të BE-së.

Megjithatë, situata aktualisht duket e vështirë, edhe për vetë faktin se politika e brendshme bullgare është në ngërç me zhvillimet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore