Shqipëria

Celibashi lë PD-në jashtë zgjedhjeve të 14 majit


Deklarata solemne është ngërçi përcaktues, i cili po e lë Partinë Demokratike jashtë zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.

Është ky vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili mori në shqyrtim kërkesën e demokratëve pas një afati 48-orësh për plotësimin e dokumentacionit, ku diçka e tillë nuk u bë prej përfaqësuesit ligjor të PD-së juridike, Indrit Sefa.

Ndaj, mbi këtë premisë dhe duke e gjykuar deklaratën solemne të nënshkruar prej kryetarit të partisë, i cili ligjërisht është ende Lulzim Basha sipas Gjykatës së Tiranës, si të domosdoshme për regjistrimin e të djathtëve në zgjedhje, Celibashi ka marrë vendimin të mos i lejojë ata të jenë pjesë e procesit.

Debate të ashpra e përfshinë seancën publike të komisionerit që prej fillimit, ku Sefa kërkoi të kishte një ndarje të kërkesave mes asaj të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të përfaqësuar ligjërisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga ai vetë dhe një kërkese paralele, të paraqitur nga grupimi i Sali Berishës, për të regjistruar këta të fundit si PD zyrtare dhe me kryetar legjitim vetë Berishën.

Kërkesën e të dytëve, Celibashi e ka rrëzuar prej fillimit, duke e njohur Bashën si kryetar në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës.

Por, sërish, dokumentacionin për regjistrimin e partisë në zgjedhje, e ka vlerësuar si të cunguar dhe të paplotë.

Arsyetimi i zgjeruar i Celibashit, vlerësoi edhe një kërkesë të paraqitur nga PD, me arsyetimin se pse Basha, nuk mundet ta firmosë dot dokumentin e deklaratës solemne.

Arsyeja e qartë, e paraqitur nga Enkelejd Alibeaj, si kryetar i komanduar i partisë, është ajo se vetë Basha është dorëhequr nga drejtimi i forcës së djathtë politike dhe rrjedhimisht, firma e tij nuk ka efekt juridik.

Kjo gjë është pranuar gjerësisht nga komisioneri, por nga ana tjetër, pavarësisht se dorëheqja e Bashës ka ndodhur një vit më parë, asnjë vendim nuk është marrë nga strukturat e PD-së, për të bërë ndryshimet e nevojshme në Gjykatën e Tiranës, për lidershipin e ri të partisë.

Kësisoj, Basha vijon të mbetet kryetar dhe pa firmën e tij, delegim të plotë kompetencash nuk mundet të ketë në këto kushte, gjë që çon edhe në mospranimin e kërkesës për regjistrimin e PD-së.

Rruga që do të ndiqet tashmë nga Sefa si përfaqësues ligjor i demokratëve, është ankimimi i çështjes në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, ku do të shqyrtohet vendimi i Celibashi si i drejtë apo jo.

Në rast se KAS vendos po ashtu se vendimmarrja e Celibashit qëndron, atëherë zgjidhja e fundit është ajo e dërgimit të çështjes në Kolegjin Zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore