Shqipëria

Çasti është gjithmonë – Le të flasim


Më 10 tetor të vitit 2019, Qendra për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë, e njohur shkurtimisht si COD, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë hashtagun e asokohshëm, #letëflasim (Le të flasim), duke përfituar edhe nga data simbolike e ditës botërore të shëndetit mendor, për të ndërgjegjësuar më tej mbi çështjen delikate të sensibilizimit ndaj këtij aspekti jetësor.

Në atë tryezë të atëhershme, shumë përfaqësues institucionesh ishin të thirrur. Po ashtu, edhe specialistë të fushës, si mjekë, psikologë apo psikiatër.

Sigurisht që disa çështje u bashkërenduan në atë takim, ku më kryesori ishte promovimi për të folur hapur mbi shëndetin mendor dhe nevojën për të kërkuar ndihmë.

Dy vjet më pas, një tryezë e ngjashme, por me pjesëmarrje të ndryshme, u mbajt me qëllim të njëjtë. Mirëqenia psikologjike e njerëzve, u trajtua si spektër në një botë të pabarabartë.

Tryeza e organizuar nga Fondacioni Together Albania

Ashtu si dikur ka thënë edhe psikanalisti amerikano-gjerman Erik Erikson: “Jeta nuk bën shumë sens pa ndërvarësinë. Na duhet njëri-tjetri dhe sa më shpejt ta mësojmë këtë, aq më mirë për ne”.

Por në realitet, diskutimi – të paktën ai i pretenduar – gjithnjë ndalet aty.

Dhe çuditërisht, rizgjohet gjithnjë në ngjarje përcaktuese shoqërore, për t’u hibernuar më pas në dimrin e thellë kognitiv të masës.

Ndërgjegjësim, pa institucionalizim

Në Shqipëri, thelbësisht, kultura e të shkuarit tek psikologu, ka ndryshuar së shumti përgjatë viteve. Një ndërgjegjësim i shoqërisë, pohohet për Albanian Post nga shumë qendra të këshillimit psikologjik.

Njerëzit sipas tyre, kanë filluar të konsultohen edhe për gjëra “të vogla”, pa qenë nevoja për të shkuar në problematika madhore.

Mirëpo, çështja e vërtetë ku duhet ndalur debati në rast të tillë, është ajo e qendrave të shërbimit psikiatrik.

Në Shqipëri, këto kapacitete janë thellësisht të limituara. Mbi shërbimin për shëndetin mendor të specializuar me shtretër, vetë katër institucione janë në gjithë Shqipërinë. Prej tyre, vetëm dy, mund të quhen realisht funksionalë.

Qendra në Elbasan, është më e madha, me një kapacitet prej 310 personash. Ajo në Vlorë, diçka më pak, me 200 të tillë.

Shërbimi psikiatrik pranë QSUT në Tiranë, nuk është me permanencë të përhershme, por të përkohshme. Ndaj, ai ka vetëm 90 shtretër. Ndërsa ai i Shkodrës, ndalet në 35.

Pikërisht në këtë të fundit, në shifra zyrtare, gjatë vitit 2018, janë shtruar 371 pacientë. Nëse do të ishte një institucion me shërbim permanent, do të kishim një fluks prej 10-fish të kapacitetit.

Por, për të bërë një krahasim më të arsyeshëm, gjatë po të njëjtit vit, në atë të Vlorës, ka pasur 498 pacientë. Kjo shifër, është dy herë e gjysmë më e lartë se kapaciteti prej 200 shtretërish.

Atëherë, në kushte të tilla, çfarë ndodh?

Sipas burimeve të Albanian Post brenda qendrës së shërbimit, ndodh zgjidhja më e thjeshtë: “Lirimi” i një pacienti në gjendje më të lehtësuar (edhe pse jo plotësisht të qëndrueshme), për t’i bërë vend dikujt tjetër në gjendje më të rënduar.

Spitali psikiatrik i Vlorës

Ky cikël vijon kështu, duke bërë rrotullame boshe rreth vetes, për të evituar mbipopullimin në qendër.

Ndërsa, mbi kushtet aty, është një debat më vete.

Rotondo

Tryeza si ajo e vitit 2019 apo ajo e 2021-shit, janë të përhershme në muajin tetor, shënjues të kujdesit mendor.

Megjithatë, gjithçka bëhet në ato tryeza, është thjesht ndryshimi i emërtimit dhe i përfaqësisë. Thelbi e përmbajtja, mbeten të njehsuara e të pandryshuara.

“Le të Flasim”. “Duhet të flasim”. “Flasim”.

Sipas psikologes Lenida Halilaj, shoqëria shqiptare ka një paaftësi për të konkretizuar nisma të tilla, praktike në shërbim të komunitetit. Kjo për të, edhe për faktin se shëndeti mendor, nuk trajtohet në qendra multidisiplinare nga ekipe të tilla.

“Është me rëndësi të kuptohet se secili specialist kontribuon për një aspekt të veçantë të çështjes”, shton ajo.

Lenida Halilaj, Psikologe

Për më tej, psikologia është e mendimit se dhuna – e shumtë në kohët e fundit – depresioni apo krimet në familjet, nuk duhen konceptuar thjesht si aspekte të shëndetit mendor, për të cilat individi duhet trajtuar.

Kjo, pasi ato janë ndikuese më gjerë dhe parasysh, duhet të merret konteksti social.

Nga ana tjetër, ajo thekson edhe aspektin e masave që duhen marrë për ndërgjegjësim.

“Duhet nisur që nga familja, shkolla, marrëdhëniet njerëzore që krijojmë apo mjedisi organizacional ku punojmë. Shëndeti mendor nuk nënkupton ‘jo-mirëqenie mendore’, por tërësinë e funksionimit tonë të përgjithshëm”.

Dhe pikërisht ky për Halilajn, mund të vihet në rrezik nga elemente të ndryshme. Ato duhen marrë parasysh dhe të adresohen tek persona të specializuar.

Megjithatë, tryezat sërish mblidhen, vit pas viti, në foltore të njëjta. Po të njëjtë, mbeten edhe fenomenet në noumenin shqiptar.

Një rotondo, përtej rrugëtimeve, qaset e gatshme aty, për të rikujtuar se debati i vërtetë kolektiv, nuk duhet të ndodhë një herë sakaq, por shumë herë ndërkaq.

Pikërisht kështu, dita është më 10 tetor, nëntor, e çdo ditë!

Çasti, është gjithmonë dhe për të, duhet folur…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore