Lajme

Burrat në shumicën e komunave marrin pjesën më të madhe të buxhetit për paga sesa gratë, thotë raporti i institutit GAP


Ilustrim

Instituti GAP, i cili avokon për një qeverisje më të mirë në Kosovë, duke monitoruar punën e institucioneve publike dhe duke rekomanduar zgjedhje konkrete mbi politikat publike, përmes një raporti të titulluar “Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në komuna”, ka analizuar procesin dhe ndikimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinot tek organizatat buxhetore të nivelit lokal.

Raporti në fjalë tregon se në shumicën e komunave, pjesën më të madhe të buxhetit për paga e marrin burrat.

“Në 33 komunat që kanë plotësuar shtojcën për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ), del se janë të punësuara në total 18 mijë e 739 gra apo 48.8 për qind dhe 19 mijë e 626 burra apo 51.2 për qind. Prej 34 komunave të cilat kanë plotësuar shtojcën për BPGJ, në 22 prej tyre burrat marrin pjesën më të madhe të buxhetit të destinuar për paga”, thuhet në njoftimin e GAP-it

Raport gjithashtu tregon se më shumë subvencione përfitojnë burrat sesa gratë.

“Përkundër asaj që në vitin 2023 parashihet që në total më shumë gra se burra të përfitojnë subvencione nga komunat, sa i përket vlerës së subvencionimit, 14 nga 25 komuna që kanë ofruar informata të plota, parashohin subvencionim në vlera më të larta për burra se për gra”, thuhet në njoftim.

Sipas Institutit në fjalë nga vitit 2017 deri në vitin 2023, asnjëherë nuk ka ndodhur që të gjitha komunat të dorëzojnë të plotësuara shtojcat e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor.

Në shumë raste edhe kur dorëzohen, sipas GAP, thuhet se shtojcat e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor janë me shumë gabime në të dhëna.

“Sa i përket procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2023, 33 komuna kanë ofruar të dhëna për punësimin e grave dhe burrave në sektorin publik komunal; 34 komuna kanë ofruar informata lidhur me shpërndarjen vjetore të buxhetit në paga; 25 komuna kanë ofruar të dhëna për numrin e grave dhe burrave që mund të përfitojnë subvencione; 26 komuna kanë dhënë informata të plota lidhur me shumën e subvencioneve të planifikuara e të ndara sipas gjinisë; 31 komuna kanë plotësuar të dhënat e BPGJ sa i përket nivelit të pagës për gratë dhe burrat e punësuar në sektorin publik”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore