Lajme

Biden u kërkon talebanëve të lirojnë veteranin e marinës amerikane


Presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për lirimin e veteranit të marinës amerikane, Mark Frerichs, nga talebanët. Kreu i shtetit amerikan tha se lirimi i Frerichs  ishte “i panegociueshëm” nëse regjimi taleban pret të njihet si sundimtar legjitim i Afganistanit.

Frerichs, inxhinier civil dhe kontraktor nga Illinois, u mor peng në janar të vitit 2020. Ai besohet të jetë i mbajtur peng nga rrjeti Haqqani, i lidhur me talebanët.

Veterani i marinës amerikane, Mark Frerichs, i kapur në janar të vitit 2020 nga grupet e lidhura me talebanët
Çfarë tha Biden?

Biden, në një deklaratë, tha se “kërcënimi i sigurisë së amerikanëve ose të ndonjë civili të pafajshëm nuk është asnjëherë i pranueshëm. Gjithashtu, marrja e pengjeve është një akt i veçantë mizorie dhe frike”.

“Talebanët duhet të lirojnë menjëherë Markun përpara se të të presin ndonjë shqyrtim të aspiratave të tyre për legjitimitet. Kjo është e panegociueshme”, shtoi Biden.

Motra e Frerich tha se ishte “mirënjohëse” për komentet e Biden, duke shtuar që familja “dëshiron që Marku të kthehet në shtëpi”.

 

OKB: Talibanët,që nga marrja e pushtetit, po sulmojnë zërat kundër

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, tha se më shumë se 100 anëtarë të qeverisë së mëparshme afgane të mbështetur nga SHBA-ja, janë vrarë që nga gushti i kaluar, kur talebanët morën pushtetin.

Në raportin e OKB-së shkruhet se më shumë se dy të tretat e këtyre vrasjeve ishin “vrasje jashtëgjyqësore të kryera nga autoritetet de facto ose anëtarët e tyre”.

Raporti shtoi gjithashtu se “mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe punonjësit e medias vazhdojnë të jenë nën frikën e sulmit, ngacmimit, arrestimit arbitrar, keqtrajtimit apo edhe vrasjeve”.

Për më tepër, ai detajoi një shtypje të qeverisë ndaj protestave paqësore dhe mungesën e aksesit të grave dhe vajzave në punë dhe arsimim.

Afganistani po përballet me fatkeqësi humanitare

Buxheti i afganëve më parë varej kryesisht nga financimi i vendeve perëndimore, por kjo ndihmë u venit pasi trupat perëndimore u larguan nga vendi.

Edhe pse grupet e bamirësisë mbetën, David Beasley, drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, tha së fundmi se miliona njerëz po luftojnë për të përmbushur nevojat e tyre themelore.

Gati 23 milionë njerëz nga 40 milionë banorë gjithsej janë në prag të urisë dhe problemi më i madh me të cilin po përballen OJQ-të, është financimi.

Beasley i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zgjidhë krizën e menjëhershme të urisë, por gjithashtu i kërkoi komunitetit të hapë një “rrugë përpara në mënyrë që Afganistani të rigjallëroj këtë ekonomi dhe të ecë normalisht”.

Kushtet e vështira të dimrit dhe pandemia kanë përkeqësuar më tej kushtet për afganët. Kjo ka bërë që, në fillim të këtij janari, Kombet e Bashkuara të bëjnë thirrjen e saj më të madhe humanitare të bërë ndonjëherë për një vend të vetëm, 4.4 miliardë dollarë.

Edhe pse liderët talebanë kanë kërkuar financim dhe njohje duke pasur parasysh presionet e një ekonomie të shpërbërë, asnjë vend ende nuk i ka njohur ata si liderë legjitimë të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore