Lajme

Biden në thirrjen e përvitshme, i shtrin dorën republikanëve për bashkëpunim


Presidenti amerikan, Joe Biden, në fjalimin e përvitshëm të njohur si “State of the Union” në SHBA, e ka pasur thelbin pikërisht te bashkimi me opozitën republikane, lidhur me çështje shumë me rëndësi për Amerikën dhe amerikanët.

Në atë çfarë u duk më shumë si një fjalim për të shpallur kandidimin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në 73 minuta, Biden iu adresua disa problemeve themelore.

Së pari, duke qenë se Kongresi tashmë është me shumicë republikane, ai i kërkoi këtyre të fundit “të mbaronin punët”, të cilat i shërbejnë familjeve të thjeshta amerikane, duke iu referuar këtu paketave të ndryshme që administrata e tij ka dhënë pas pandemisë COVID-19 dhe lidhur me krizën e fundit, pas luftës në Ukrainë.

Mbrojtja e sovranitetit territorial, në kushtet kur “balona spiune kineze” futen në hapësirën ajrore amerikane, ishte edhe “dega e ullirit”, të cilën Biden ia zgjati kahur të kundërt.

Përgjigjen gjithsesi, menjëherë nuk e mori pozitive.

“Presidenti duhet të mos jetë i shqetësuar nga fantazitë e tij, sa nga realiteti, me të cilin amerikanët përballen çdo ditë”, erdhi përgjigja e parë në emër të partisë, nga guvernatorja e Arkansas-it, Sarah Huckabee Sanders.

Ndërsa, mbi supet e Biden, një Kevin McCarthy (drejtuesi i ri i Kongresit), gjysmë përçmues, gjysmë përqeshës, shfaqej krah zëvendëspresidentes së ngazëllyer, Kamala Harris.

Kuotat e Biden në publik nuk janë të mira aktualisht. Madje, janë më të ulëtat, që prej kohës kur ai mori mandatin presidencial, përballë Donald Trump.

Ndikimi i këtij të fundit gjithsesi, mbetet i madh në radhët e republikanëve dhe rikandimi, nuk përjashtohet, sidomos përballë Bidenit.

Ajo çfarë ra në sy gjithsesi, ishte edhe fakti se politika e jashtme, pak u përmend nga Biden.

Në një kohë të tillë si ajo e luftës në Ukrainë, pak u përmend agresioni dhe pushtimi rus, ku vëmendjen e mori më shumë rivaliteti që Kina po sjell në frontin lindor.

Madje, edhe media ruse Ria Novosti, mbajti një qëndrim lidhur me këtë fakt, duke thënë se përmendja e Vladimir Putinit nga presidenti Biden në fjalimin e përvitshëm, ishte në nivelet e vitit 2021, kohë kur Ukraina nuk ishte pushtuar ende.

Këtë, rusët e kanë marrë si një sinjal normalizimi të situatës tashmë dhe të raporteve.

Por, në të vërtetë, është politika e brendshme, ajo e cila më së shumti i shqetëson aktualisht amerikanët.

Ata janë thuajse krejtësisht dakord, lidhur me paketat e ndihmës që duhet t’i jepen Ukrainës në vazhdimësi, si në Kongres, ashtu edhe në Senat.

Por, lidhur me çështjet e sigurisë, kriminalitet, ekonomisë, qëndrimet janë thuajse radikalisht të kundërta.

Faktori final për ta kundërshtuar “unitetin” me Biden?

Mosha!

Për republikanët, është e pamundur që presidenti 80-vjeçar tashmë, të qeverisë një tjetër mandat, në kushtet kur kjo do të nënkuptonte se ai do ta mbyllte një presidencë të dytë të mundshme, në moshën 86-vjeçare.

Me “degën e ullirit” të zgjatur nga Biden, “gërshërët” republikane gjymtuan menjëherë çdo aspekt të fjalimit të tij.

Vetë guvernatorja Sanders, e vulosi çështjen.

“Amerikanët duan thjeshtë të jetojnë jetën e tyre të lirë dhe në paqe, por janë nën sulm, nën rrjedhën e një lufte kulture majtiste, të cilën as nuk e filluam ne…dhe as nuk duam ta luftojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore