Shqipëria

Berisha “i hap derën” e kandidimit Bashës për kreun e PD-së


Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka pranuar se do të ishte plotësisht dakord nëse Lulzim Basha do të garonte për t’u rikthyer në karrigen më të lartë të forcës së djathtë politike, pasi ajo është e drejta e çdo përfaqësuesi të demokratëve.

I ftuar në një emision televiziv, Berisha ka pohuar se data e zgjedhjeve për kryetarin e PD-së do të shpallet dhe kandidatëve potencialë, do t’u jepet kohë për të zhvilluar fushatë duke shpalosur programin e tyre.

Pavarësisht se në heshtje, Berisha ka lënë të kuptohet se edhe ai vetë, do të jetë një prej kandidatëve për kreun e PD-së, pasi ka sintetizuar se “në të gjitha Kuvendet e zhvilluara nga demokratët, ai ka pasur përballë një kandidat real dhe asnjëherë një kandidat fiktiv”.

“E kam thënë me kohë që Lulzim Basha ka të drejtë të kandidojë. Nuk do të ndjehesha aspak jo komod pse ai kandidon”, ravijëzoi ai.

Më 30 prill, Komisioni i Rithemelimit do të mbledhë një tjetër Kuvend të demokratëve, pas dy radhazi më 11 dhe 18 dhjetor 2021, të cilët prodhuan rezultate të ndryshme.

Në këtë Kuvend të 30 prillit, pritet po ashtu të shpallet data për zgjedhjet e reja për kryetar.

Prej disa ditësh ndërkaq, në strukturat vendore në PD, po zhvillohen zgjedhje për kryetarët e degëve, pavarësisht se nga një pjesë e bazës, ato janë kontestuar dhe janë vënë në diskutim.

Mirëpo, në bazë ligjore, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, me ndryshimet statutore që janë kryer gjatë punimeve.

Kryetari i mandatuar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka thënë prej kohësh se vendimi i Gjykatës do të apelohet. Një lëvizje konkrete gjithsesi, ende nuk është kryer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore