Lajme

Ben-Meir: Marrëveshja për “Open Ballkan” e mirë nëse edhe Kosova do të ishte pjesë e saj


Profesori amerikan dhe eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir.

Profesori amerikan dhe eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ka vlerësuar se iniciativa e “Open Ballkan” do të ishte më e mirë nëse edhe Kosova do të ishte pjesë e saj.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të ishte e mirë nëse Kosova do të merrte pjesë në të dhe do të njihej si shtet i pavarur nga Serbia.

“Marrëveshja e Ballkanit të Hapur” do të ishte mirë nëse të gjashtë shtetet e #Ballkanit Perëndimor do të merrnin pjesë në të dhe Kosova do të njihej si shtet i pavarur nga Serbia”.

“Siç qëndron tani, ajo lejon #Serbinë të jetë lojtari dominues”, ka shkruar Ben-Meir në Twitter.

Çfarë është “Open Ballkan”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri tashmë në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

“Ballkani i Hapur”

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

Më 30 nëntor, ministrja e Punëve të Jashtme edhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në kuadër të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se Kosova nuk ka pranuar asnjëherë ftesë zyrtare sa i përket iniciativës Open Balkan.

Sipas saj me iniciativën në fjalë është tentuar të krijohet një paralele jo vetëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian por edhe procesit të Berlinit.

“Jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit në BE e as për iniciativat që më shumë janë fjalë goje. Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë një përshkrim për çfarë është Open Ballkan e nuk ka marrë as një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e saj përveç asaj që është deklaruar”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore