Lajme

“BE-ja përpos presionit s’po i ofron asgjë Kosovës”


Gerald Knaus

Gerald Knaus, kryetari i Iniciativës Evropiane të Stabilitetit dhe njohës i mirë i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me procesin e dialogut.

Sipas tij BE-ja në këtë fazë nuk po i ofron asgjë Kosovës përveç presionit.

“Këto nuk janë realisht bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë bisedime ndërmjet BE-së (SHBA) dhe secilës prej këtyre të dyjave veç e veç”. Çfarë i ofron BE-ja Serbisë? Pothuajse asgjë. Çfarë i ofron BE-ja Kosovës? Presion, por as njohje nga të 27-të”, shkruan fillimisht Knaus në rrjetin e tij social në Twitter.

Në vend të kësaj, Knaus beson se BE-ja duhet t’u ofrojë Kosovës dhe Serbisë shpërblime të vërteta.

“Një proces të bazuar në merita për t’u bashkuar me tregun e saj të vetëm, për të gëzuar katër liri dhe për të kapur hapat si Rumania apo Baltiku”, shton ai.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi i 27 shkurtit ishte konstruktiv dhe se sipas tij në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

Kurti ndër të tjera konfirmoi se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe nga Kurti deklaroi se takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit, por fillimin e implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore