Lajme

Vuçiç: Kam insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin – Kurti ka refuzuar


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shefit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur para gazetarëve, teksa ka treguar se Kurti nuk ka pranuar të flas për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ishte një takim shumë i vështirë, do të takohemi prapë me Kurtin. Kam insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Nuk mendoj se Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Ne do të shohim nëse do të ndodh në të ardhmen. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe është dashur të zbatohet”, tha Vuçiç para gazetarëve.

Por, Vuçiç shprehu besimin e tij se do të jetë e mundur të kapërcehen lëvizjet e njëanshme që do të rrezikonin njerëzit në terren dhe se do të mund të punohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

“Do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme. Besoj se në periudhën e ardhshme do të ketë shumë biseda të tjera. Siç e kuptoj unë, ne duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut më 18 mars”, shtoi ai.

Ai po ashtu ka thënë se ndërmjetësuesit evropianë duan që deri më 23 dhe 24 mars, kur mbahet Këshilli Evropian, të kenë një raport nëse Beogradi dhe Prishtina kanë arritur ndonjë gjë dhe në përputhje me këtë do ta trajtojnë integrimin evropian të të dyjave.

“Do të anuloj një pjesë të udhëtimit tim dhe takimet e politikës së jashtme, në mënyrë që të bisedoj me Lajçakun, në mënyrë që të përgatitemi për 18 mars”.

Ai po ashtu tha se është i gatshëm të bisedojë me Kurtin për dokumentet personale, përfaqësimin rajonal dhe të gjitha çështjet e tjera me rëndësi jetike, por se Asociacioni wshtw i para.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve kosovarë nëse Serbia është e gatshme ta njohë Kosovën, Vuçiç theksoi se Serbia është anëtare e OKB-së dhe se gjithmonë e përkrah rendin ndërkombëtar, kartën e OKB-së dhe Kushtetutën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore