Lajme

BE-ja konsideron Rusinë përgjegjëse për mizoritë në Bucha


Bashkimi Evropian dënoi Rusinë për mizoritë e ushtrisë së saj në disa qytete të Ukrainës, duke thënë se blloku do të punojë për sanksione shtesë kundër Moskës.

“Autoritetet ruse janë përgjegjëse për këto mizori të kryera ndërkohë që kishin kontroll efektiv të zonës”, tha blloku të hënën në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar se Brukseli do të ndihmojë Ukrainën në mbledhjen dhe ruajtjen e provave të krimeve të luftës.

“Ata i nënshtrohen ligjit ndërkombëtar të okupimit”.

Disa qeveri të BE-së po bëjnë presion që blloku të vendosë shpejt sanksione të reja në përgjigje të raporteve të shumta se trupat ruse ekzekutuan civilë të paarmatosur në Ukrainën veriore.

Komisioni Evropian po punon për hapat për të shtrënguar masat ekzistuese, duke përfshirë sanksionimin e plotë të bankave tashmë të shkëputura nga sistemi global i pagesave SËIFT dhe zgjerimin e listës së individëve të sanksionuar.

Por disa vende, duke përfshirë Gjermaninë, kanë bllokuar deri tani hapa më të rëndësishëm, si embargoja e naftës ruse.

“BE do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Ukrainën dhe do të avancojë, si çështje urgjente, të punojë për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë”, shkruhej në deklaratën e përbashkët.

Disa Qeveri njoftuan se mizoritë e raportuara në vende si Bucha, një qytet në periferi të Kievit, janë të mjaftueshme për të garantuar sanksione të reja të ashpra.

Por të tjerë kanë argumentuar se masat si ndërprerja e naftës ruse ose ndalimi i anijeve ruse nga portet evropiane duhet të hulumtohen vetëm nëse Rusia do të përdorte armë kimike ose do të kapte një qytet të madh.

Ukraina ka akuzuar ushtarët rusë për vrasjen e civilëve të paarmatosur, me zyrtarët që thonë se gjetën qindra trupa në Bucha pasi forcat ruse u larguan. Mykhailo Podolyak, këshilltari i Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, postoi disa foto në Twitter të njerëzve të vdekur, disa me duar të lidhura pas shpine.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë pretendimet për krime lufte por i quajti ato si të inskenuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore