Sport

Bayerni e bën baltë, Leverkusen ‘prek’ titullin


Ndeshjet e të shtunës në Bundesliga-n gjermane kanë prodhuar rezultate surprizuese. Bayern Munich është mposhtur duke shpërdoruar avantazhin e dy golave, ndërsa Leverkusen ka krijuar një epërsi me 16 pikë në krye të renditjes, duke u afruar më shumë me titullin kampion.

Hiddenheim-i ka qenë surpriza e ditës në Bundesliga duke përmbysur Bayern Munich-un nga 0-2 ne 3-2. Teksa, Bayer Leverkusen ka vijuar me seritë e fitoreve duke mposhtur minimalisht 0-1 Union Berlin-in në transfertë.

Në “Voith-Arena”, Bayern-i shkëlqeu gjatë pjesës së parë duke realizuar dy gola dhe duke mbyllur 45 minutat në një avantazh të kënaqshëm. Por, pjesa e dytë do të ishte një ferr i vërtetë për bavarezët.

Harry Kane realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 38, teksa shtatë minuta më vonë realizoi edhe Serge Gnabry.

Megjithatë, pjesa e dytë do të sillte tre golat e vendasve, dy prej të cilëve erdhën brenda harkut kohor të një minuti.

Kevin Sessa shënoi golin e parë për vendasit në minutën e 50, para se Tim Kleindienst të vendoste barazpeshën disa sekonda më vonë.

Gjermani, Kleindienst do të ishte edhe autori i golit të tretë dhe të përmbysjes për Hiddenhem-in, duke realizuar në minutën e 79.

Në takimin tjetër të zhvilluar në “An der alten Forsterei”, Leverkusen ia doli të triumfonte falë një penalltie në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Leverkusen arriti të fitonte 11 metërsh në minutën e shtatë të kohës shtesë të pjesës së parë, të cilën, super ylli i skuadrës, Florian Wirtz, e shndërroi në gol një minutë më vonë.

Rezultati është një tjetër fitore e rëndësishme për “Aspirinat” të cilët duke përfituar nga hapi fals i Bayern Munich-ut shkojnë në plus 16 pikë në krye të Bundesliga-s dhe afrohen me titullin kampion. I pari në historinë e klubit.

Leipzig hodhi një hap të rëndësishem drejt kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm duke mundur 1-4 në transfertë Freiburg-un.

Golat e Benjamin Sesko, Lois Opena (dy) dhe Amadou Haidara e katapultuan Leipzig-un në vendin e katërt në Bundesliga, duke e shtyrë Borussia Dortmund-in drejt vendit të pestë. Verdhezinjtë kanë një ndeshje më pak.

Në dy takime të tjera të ditës në Bundesliga, Koln triumfoi 2-1 ndaj Bochum-it dhe Mainz-i fitoi 4-0 ndaj Darmstadt-it.

Shqiptaro-gjermani, Bryan Gruda realizoi golin e tretë për Mainz-in dhe ai ishte ndër lojtarët më të spikatur në fushë.

Sfida e fundit për këtë të shtunë në Bundesliga do të luhet duke filluar nga ora 18:30 mes Dortmund-it dhe Stuttgart-it.

Renditja në Bundesliga

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore