Lajme

Bashkimi i partive shqiptare në Veri, interpretohet si “plan ferri” në Serbi


Mitrivicë

Bashkimi i subjekteve politike shqiptare për të garuar me një kandidat të përbashkët në komunat veriore të Kosovës dhe në komuna të tjera që qeverisen nga Lista Serbe, ka ngritur shqetësim në Beograd.

“Plani i ferrit i Prishtinës për të marrë veriun e Kosovës. Ata po përgatisin një koalicion të padenjë dhe gjithçka do të jetë e qartë për këtë!”, thuhet në një shkrim të televizionit serb Pink, për iniciativën e subjekteve politike për Mitrovicën e Veriut.

Ky organizim i subjekteve politike në qytetin e Mitrovicës së Veriut, i cili nuk përbëhet vetëm nga partitë shqiptare, por edhe nga komuniteti boshnjak, romë, ashkali e egjiptian, në listën e tyre për asamble do të kenë edhe dy vende të rezervuara për komunitetin serb.

Kështu e ka bërë të ditur bartësi i listës për Asamblenë Komunale të Mitrovicës Veriore, Skender Sadiku, për KlanKosova.

“Pas një pune intensive diku pesë-gjashtë mujore kemi arritur një marrëveshje që të garojmë të gjithë së bashku. Pos komunitetit shqiptarë dhe boshnjakë kemi edhe komunitetin romë, ashkalinj dhe egjiptian – por kemi menduar që t’i kemi edhe dy vende të rezervuara për komunitetin serb”.

Ka qenë një punë disa mujore deri te arritja e një marrëveshje të tillë, e cila është pa dyshim një lajm i mirë, ka thënë ai.

“Ideja e këtij koalicioni është që definitivisht të jemi të bashkuar për qytetarin e Mitrovicës dhe t’ju japim një ofertë që të ndryshojnë gjërat pozitivisht për ta dhe qytetin e Mitrovicës së Veriut”.

Mediat në serbi iu kanë referuar Florent Azemi-t nga PDK, i cili ka thënë se subjektet politike shqiptare do të bashkoheshin kundër Listës Serbe në Zgjedhjet Lokale të tetorit.

Ndërsa për komunat e tjera në veri të “KIM-it, mbajtësit e listës nuk janë përcaktuar”, transmeton Pink Tv.

Florent Azemi, do të jetë kandidati i këtij koalicioni të gjerë për qytetin e Mitrovicës së Veriut.

Gjithashtu, gjatë së enjtes është bërë e ditur se edhe në Komunën e Novobërdës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë akorduar që të kenë një kandidatë të përbashkët për Zgjedhjet Lokale të tetorit i cili vjen nga shoqëria civile.

Iniciativës së këtyre dy subjekteve politike ende nuk i është bashkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) meqë ky subjekt politik aktualisht ka për nënkryetar komune, Bajrush Ymeri-n.

Kryetari i Degës së LVV-së në Komunën e Novobërdës, Abdil Gashi, ka thënë se është takuar me të gjitha subjektet politike në mënyrë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth një qëllimi  i cili është fitorja mbi Listën Serbe e cila udhëheq me këtë komunë.

Koalicionet e gjera të subjekteve politike shqiptare, por edhe me komunitetet e tjera, për marrje të pushtetit lokal ku Lista Serbe qeverisë, po shihen si një rrezik në opinionin serb të Beogradit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore