Sport

Barcelona, nëntë emra për një ‘9’


Largimi i Luis Suarez-it ka lënë një boshllëk të madh në sulmin e Barcelona-s. Martin Braithwaite dhe Antoine Griezmann-i janë shumë larg uruguajanit. Kjo është arsyeja që Barça pritet të futet serizoisht në merkato, për të gjetur një qendërsulmues dhe në dispozicion ka nëntë emra.

Erling Haaland-i është lojtari i preferuar për të qenë “9” i ri në ekip. Për norvegjezin janë të interesuara shumë ekipe, mes të cilave edhe Real Madrid-i, Manchester City, Manchester United-i, apo dhe Juventus-i.

Për sulmuesin e Borussia Dortmund-it nevojiten 100 milionë euro për të bindur drejtuesit e verdhezinjëve.

Nëse nuk arrihet Haaland-i, do të synohet ylli i Tottenham-it, Harry Kane. Sulmuesi anglez duket gjithashtu një profil ideal për sulmin e Barcelona-s. Vlera e tij është mbi 100 milionë euro.

Alternativa të tjera janë dy yjet e Inter-it, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez-i. Që gjithashtu, shpenzimet duhet të jenë në rreth 100 milionë euro për cilindo prej tyre. Problemet financiare të zikaltërve, mund ta detyrojnë Inter-in të heqë dorë nga njëri prej dy yjeve të sulmit.

Opsioni tjetër është Alexander Isak. Suedezi është duke bërë një sezon të shkëlqyer te Real Sociedad-i dhe Barcelona, së bashku me Manchester City-t janë duke e vëzhguar me kujdes. Për lojtarin e Sociedad-it nevojiten rreth 60-70 milionë euro.

Paulo Dybala është gjithashtu pjesë e kësaj liste. Për juventinin nevojiten 50-60 milionë euro. Sergio Aguero dhe Memphis Depay, janë nën vëzhgimin e Barcelona-s. Të dy lojtarët në verë përfundojnë kontratat me klubet aktuale dhe dalin si transferime të lira.

Sulmuesi i fundit në listën e Barcelona-s është Darwin Nunez-i. Sulmuesi luan me Benfica-n në Portugali. 21-vjeçari kushton 20-30 milionë euro.

Sezoni i ri do e gjejë Barcelona-n me një sulmues të ri dhe mundësit janë të mëdha që finalizimi me një nga lojtarët e mësipërm të jetë së shpejti, për ta pasur gati për fazën përgatitore, për sezonin që vjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore