Shqipëria

Banorët e ‘5 Majit’ në protestë, tentojnë të bllokojnë trafikun


Banorët e “5 Majit”, të shtunën e 12 shkurtit kanë marshuar drejt kryqëzimit ku ndodhet tregu i Medresesë duke tentuar të bllokojnë trafikun.

Policia ka tentuar t’i largojë qytetarët. Banorët kanë çarë me vështirësi kordonin e efektivëve dhe kanë vijuar protestën e tyre.

“Rama nuk na dha asnjë zgjidhje. Mirë që nuk na dha zgjidhje, por as nuk na dëgjoi. Përrallisi çfarë kishte për të përrallisur dhe vazhdoi punën e tij si gjithmonë. Mazniku na tregoi prapë që kemi kasolle dhe zotit Mazniku i jam përbetuar që do e çoj në burg, me aq mundësi sa do kem në anën ligjore”, u shpreh një banore.

Ndërsa më herët gjatë ditës sotme, kreu i Kadastrës, Artan Lame, teksa po shpërndante për qytetarët në Berat disa legalizime u ndal dhe te situata në lagjen “5 Maji” në kryeqytet dhe në Unazën e Re.

Lame tha se qytetarët atje, kërkojnë të paguhen edhe për tokën, por ndërkohë që toka nuk është e tyre.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 19 janarit, banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Në mbështetje të banorëve, shkuan deputeti Klevis Balliu, i cili ka qenë edhe në protestat e banorëve të Astirit dhe Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Gjithashtu aty u gjend edhe deputetja Dhurata Çupi.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Në disa momente u regjistruan dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tre banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore