Shqipëria

Lame për situatën te “5 Maji”: Kanë ndërtuar pa leje, toka nuk është e tyre


Kreu i Kadastrës, Artan Lame, të shtunën e 12 shkurtit teksa po shpërndante për qytetarët në Berat disa legalizime u ndal dhe te situata në lagjen “5 Maji” në kryeqytet dhe në Unazën e Re.

Lame tha se qytetarët atje, kërkojnë të paguhen edhe për tokën, por ndërkohë që toka nuk është e tyre.

“Po ndjekim atë që po ndodh në zonën e 5 majit dhe me Unazën e re. Ju do të jeni të gjithë në tokën tuaj. Është për tu respektuar që ka ndërtuar pa leje, po në pronën e vet, të paktën si ka rënë në qafë askujt. Sidoqoftë nga mënyra si po kërkohet në 5 Maj, po flitet për një zonë që është ndërtuar pa leje, në tokë me pronar dhe në tokë shteti”.

Sipas tij qytetarët po kërkojnë “para tokash, që nuk janë prej tyre”.

Kam pritur disa prej tyre që kanë marrë legalizimin dhe tani në procesin e shpronësimin do të marrin paratë e shtëpisë, ata kërkojnë paratë e tokës që nuk është e tyre. Ju keni ndërtuar në tokën tuaj dhe nëse ka nisur një projekt do e merrni, atje nuk është ndërtuar në tokën e tyre, ndaj s’ka kuptim që të kërkojnë paratë e tokës në rastet që nuk ka përfunduar procesi i blerjes së tokës”, deklaroi Lame.

Ndërtimi i ngjarjes

E gjitha do të niste të mërkurën e 19 janarit, kur banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Në disa momente u regjistruan dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tri banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore