Muzikë

Baleti Kombëtar rrezikon premierën për shkak të mungesës së materialeve të nevojshme


Baleti Kombëtar i Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës ka planifikuar që me datën 21 tetor të këtij viti, të prezantojë para publikut premierën e baletit “Tanzminiaturen & Tangata”, por që organizatorët e këtij institucioni kanë hasur në vështirësi me furnizimin e materialeve të nevojshme, të cilat e vënë në pikëpyetje gjithë procesin e premierës.

Fotografi e shkrepur gjatë provave të BKK-së për premierën “Tanzminiaturen & Tangata”.

E gjithë kjo po ndodh për shkak se që nga viti 2018, BKK, funksionon vazhdimisht pa xhirollogari të veçantë, dhe gjithçka tjetër, përfshirë pagesat dhe furnizimet me materiale, kalojnë përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zëvendës drejtori i BKK-së, Kreshnik Musolli, në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se furnizimi me materiale të nevojshme për përgatitjen e premierës është i ndërlikuar.

Madje, sipas Musollit, BKK tani po heziton edhe në planifikimin e shfaqjeve të tjera.

“Pas kësaj shfaqjeje është e planifikuar edhe një premierë tjetër. Por, duke e parë situatën ka shumë gjasa që e njëjta të anulohet në tërësi, sepse nuk mund të fillojmë asgjë duke rrezikuar për çdo hap që e bëjmë”.

“Ne jemi Institucion Kombëtar i Kulturës dhe si i tille duhet të na trajtojnë duke na krijuar kushte normale të punës si ne aspektin infrastrukturor ashtu edhe funksional”, thotë Musolli.

Mes tjerash, Musolli, thotë se ky problem nuk është diçka e re për të dhe trupën e baletit, pasi që një situatë e tillë ka kohë që mbretëron brenda BKK-së.

Ai kritikon organet e MKRS-së se nuk “po arrijnë të kuptojnë specifikën e punës së këtij institucioni”.

Fotografi e shkrepur gjatë provave të BKK-së për premierën “Tanzminiaturen & Tangata”.

“Ky problem që e kemi është duke na përcjellë tash e disa projekte, pasi që po kërkohen procedura tjera për mënyrën e furnizimit me materialet që na nevojiten”.

“Mirëpo, nuk po arrijnë ta kuptojnë specifikën e punës tonë, duke e ditur që ne nuk mund të planifikojmë me saktësi çdo detaj deri në ditën e premierës. Kemi të bëjmë me pune kreative dhe artistike, e cila mund të ndryshoj sipas kërkesave të koreografit në çdo moment”, shton ai.

Musolli thotë se një zgjidhje ideale do të përfshinte një afat të përhershëm kohor dhe do të ishte mirë të ndodhte sa më shpejtë.

Fotografi e shkrepur gjatë provave të BKK-së për premierën “Tanzminiaturen & Tangata”.

“Momentalisht jemi duke pritur nga MKRS, që të na ofrojë një zgjidhje urgjente. Por, ky problem si edhe shumë të tjera në lidhje me institucionin tonë, duhet të arrijnë zgjidhje të përhershme, pasi që në këtë mënyrë nuk ka as seriozitet e as siguri për planifikimin e projekteve dhe aktiviteteve të ardhshme”, thotë Kreshniku.

Shfaqja e planifikuar të shfaqet në tetorin e këtij viti, përbëhet nga dy pjesë – “Tanziminiaturen”, e cila do të luhet nën tingujt e muzikës së J.S. Bach dhe brenda vetës ka lëvizje neoklasik e me plot elegancë, si dhe – “Tangata” me muzikë të Astor Piazzolla-s, që përmban lëvizje dhe elemente tangoje, por të modernizuara.

Të dy pjesët janë të krijuara nga koreografi, Ricardo Fernando, i cili njëherësh është edhe Drejtor i Baletit të Ausburgut në Gjermani.

Përgatitjet për shfaqjen e baletit, “Tanzminiaturen & Tangata”, kanë filluar që nga shtatori dhe puna e trupës së baletit ka qenë inteznive dhe shumë e ngarkuar, me qëllim të arritjes së duhur të nivelit tekniko-artistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore