Lajme

ATK: Identifikon mbi 2 mijë punëtorë të pa regjistruar


Administrata Tatimore e Kosovës (ATK)

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga inspektimet që janë bërë bizneseve në teren nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, janë identifikuar dhe formalizuar 2 mijë e 756 punëtorë të pa regjistruar.

Në njoftimin e ATK-së thuhet se kanë filluar me zbatimin e tri projekteve të mëdha të përmbushjes, ku secila prej tyre ka indikacion të drejtpërdrejt në formalizmin e punëtorëve, projektet në fjalë si ai i punësimit joformal, ndërtimtarisë, akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë të bazuara në metodologjinë e vlerësimit të rrezikut.

“Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës është e orientuar në formalizmin e këtij sektori, përmes vendimeve të ndryshme, si dhe përmes Pakos për Ringjallje Ekonomike, konkretisht përmes masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 të cilat janë input shumë i rëndësishme në deklarimin e punëtorëve, por edhe rritjes së sensibilizimit të punëtorëve për të kërkuar që të deklarohen nga ana e punëdhënësit”.

“Njëherit, ATK inkurajon të gjithë punëdhënësit dhe punëtorët që të aplikojnë për të përfituar nga masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 sepse duke deklaruar punëtorët, ju ndihmoni direkt në uljen e informalitetit në këtë sektor”, shkruan në njoftimin e ATK-së në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka filluar të implemtentojë tri masat nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, vendim ky i marrë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Deri më tani në ATK kanë treguar se kishin aplikuar 523 biznese për 1 mijë 365 të punësuar.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Myrtezaj, kishte thënë se me vendim të ministrit të Financave Punës dhe Transfereve janë autorizuar që të implementojnë tri masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomik, në këtë rast masat 1.1,1.2 dhe 1.3.

“Nga momenti i marrjes së kësaj përgjegjësie në fillimisht kemi përgatitur sistemin përmes të cilit bizneseve ju krijohet mundësia që të aplikojnë për të përfituar nga këto masa dhe ky sistem është përgatitur në kohë rekorde dhe është funksional nga data 12.08 deri më tani”, kishte thënë Myrtezaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore