Kosova

Banoziç: Kroacia do ndihmoj Kosovën në procesin e anëtarësimit në NATO


Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banoziç në një konferencë për media së bashku me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka deklaruar se Kroacia do ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim  në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Banoziç gjithashtu u shpreh se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë ndihmë edhe në fushën e trajnimeve dhe shkollimit të pjesorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Kroacia mund t’i ofrojë ndihmë Kosovës dhe përkrahim anëtarësimin e Kosovës në institucione euroatlantike”.

“Ne e mbështesim procesin e transformimit të FSK në Forca të Armatosura. Dhe ofrojmë ndihmë në fushën e trajnimeve dhe shkollimit. Unë dëshiroj të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin tonë dhe të bëhet shkëmbimi i njohurive ndërmjet forcave tona. Takimi jonë është konfirmim i fuqishëm i bashkëpunimit miqësor”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend  Mehaj ka thënë se është e rëndësishme të punohet për interesa strategjike e të përbashkëta, për çka sqaroi se e ka marrë mbështetjet e ministrit kroat.

“Marrëdhëniet tona nuk janë vetëm diplomatike, por edhe më tej. Kjo miqësi e ka pasur momentin kulmor më shumë se dy dekada kontribut që nderon vendet tona”.

Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve sipas Mehajt  është kurorëzuar me “nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje”.

Mehaj gjithashtu ka thënë se Kroacia ka treguar gatishmëri për të “na ndihmuar gjithmonë, jo vetëm na takimin sot por edhe në takime të tjera ka treguar mbështetje. Gjithmonë ka vend për më shumë bashkëpunim”.

Banoziç pritet me nderime nga garda e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Mario Banoziç, është pritur me nderime nga garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Të dy ministrat kanë dëgjuar intonimin e himneve të të dy shteteve.

Kurse nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është njoftuar se ministrat do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore