Shqipëria

Arrestohet grupi që kontrabandonte shqiptarë në Britani – pagesa shkonte deri në 30 mijë euro


Fotografia e shkrepur gjatë operacionit të Agjencisë Kombëtare të Krimit në Angli

Shtatë persona, pjesë e një grupi të madh kriminal që merrej me kontrabandimin e qindra emigrantëve, kryesisht shqiptarë, në Mbretërinë e Bashkuar, janë arrestuar si pjesë e një operacioni të Agjencisë Kombëtare të Krimit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe udhëheqësi i dyshuar i rrjetit të kontrabandës së njerëzve.

Grupi, siç besojnë hetuesit, përdorte kamionë me qira për të transportuar shqiptarët nga Franca veriore për në Britani.

Banda pretendohet të ketë pasur kontakte në Francë, Gjermani, Holandë dhe Poloni.

Gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh midis korrikut dhe dhjetorit të vitit 2020 gjashtë përpjekje për kontrabandë u ndaluan nga oficerët e Forcës Kufitare që kryenin kontrolle të automjeteve në terminalin e Tunelit të Kanalit në Coquelles, pranë Calais, në Francë.

Në një nga këto përpjekjet, ishte edhe kontrabandimi me dy kamioneta ku mbaheshin dhjetë emigrantë shqiptarë.

Në maj të vitit 2021 u ndaluan edhe dy përpjekje të tjera të lidhura me rrjetin e organizuar për kontrabandë.

Në disa raste migrantët besohet se kanë paguar kontrabandistët deri në  25,000 funte (afër 29 mijë euro) për të arritur në Britani.

Komandanti i degës së Agjencisë Kombëtare të Krimit, Richard Harrison, beson se ky “operacion e ka shkatërruar në mënyrë të konsiderueshme rrjetin e organizuar kriminal në Britani”.

“Aktiviteti i këtij grupi kriminal kërcënonte sigurinë kufitare në Britani si dhe jetën e emigrantëve”, ka shtuar Harrison.

Një javë më parë ishin arrestuar 18 persona, pjesë e një grupi kriminal të organizuar, të cilët dyshohet se kishin transportuar mbi 400 shqiptarë ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Britanisë së Madhe.

Arrestimi kishte ndodhur pas një aksioni policor në Tarragona të Spanjës.

Operacioni ishte zhvilluar në bashkëveprim me disa autoritete evropiane policore. Këtu ishin përfshirë edhe Shqipëria, Kosova, Italia, Franca, Britania dhe Portugalia. Forca policore të SHBA-ve ishin po ashtu pjesë e operacionit.

Javë më parë Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, kishte pritur në një vizitë zyrtare në Shqipëri ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel.

Dy homologët pas takimit kishin firmosur “Marrëveshjen e Ripranimit”, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja përfshinte angazhimin e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore