Lajme

Ana tjetër, si u lexua situata e fundit me zgjedhjet serbe në Kosovë nga opozitarët e Vuçiç’it? – Flasin për Albanian Post Sonja Biserko dhe Branislav Radeljic


Ilustrim

Marëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, në dimension politik, prej kohësh kanë qenë në vendnumëro, por periudha e fundit, sidomos pas mos-lejimit të zgjedhjeve serbe, e ka parë gjithë procesin duke lëvizur prapa.

Ajo që ndër vitesh ka kaluar dhe është promovuar si dialog për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, s’ka qenë asnjëherë më jo-normale dhe më mosmarrdhënëse.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ligjërimin e tij politik e ka të ndërtuar mbi premisat se kompromiset dhe koncesionet e Kosovës ndaj Serbisë janë shpenzuar me pranimin e pakos së Ahtisarit, dhe se me të në krye të ekzekutivit, hesapet ndërrojnë njëherë e mirë.

Por me këtë hesapë, garantuesit dhe mundësuesit e pavarësisë, dhe sigurisë së Kosovës, shtetet e QUINT-it, në lidhje me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe sipas praktikave të kahershme të OSBE-së, janë shprehur të “zhgënjyer”.

Kritika e tyre, rëndoi fuqishëm edhe në debatin publik në Kosovë.

Por, si u përjetua ky zhvillim në Serbi?

Albanian Post ka biseduar me Sonja Biserkon, krytaren e Komunitetit të Helsikut për të Drejtat e Njeriut dhe me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Branislav Radeljic.

QUINT-i, deklarata, dhe ambivalenca

“Pozicioni i Kosovës është i justifikuar. Pozicioni i saj për reciprocitet është njohur (pranuar) dhe mbështetur nga Perëndimi në situatat e mëparshme. Fatkeqësisht, ne shpesh jemi dëshmitarë të kompromiseve jo-transparente që bëhen për hir të real-politikës”, ka thënë Sonja Biserko për Albanian Post.

Përtej kritikave, Biserko thotë se vendimi dhe zgjidhja e duhur, “është ajo e propozuar nga Qeveria e Kosovës”.

“Qëndrimi im është se vendimi i Qeverisë së Kosovës ndaj votimit të serbëve të Kosovës është i duhur. Vetë deklarata [e QUINT-it], në njërën anë, lavdëron rreshtimin e Kosovës me deklaratat e BE-së dhe QUINT-it rreth luftës në Ukrainë, dhe në anën tjetër, pret që Kosova ‘të mirëmbajë vlerat bazë dhe përgjegjësitë ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike”, tregon Sonja Biserko.

Branislav Radeljiç, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, qëndrimin e Kosovës në raport me zgjedhjet serbe, në konktekstin aktual, e sheh përtej marrëdhënieve vetanake mes dy vendeve.

“Besoj se vendimi i qeverisë së Kosovës nuk është marrë kokë më vete, por u është sugjeruar nga jashtë. Dhe, si i tillë, kjo mund të përdoret fare lehtë për të provokuar reagim, madje edhe kryengritje, që pastaj edhe të mund të përdorej për diskredituar serbët si tërësi, veçanërisht marrë parasysh pozicionin e Serbisë kundrejt krizës në Ukrainë”, përgjigjet ai në pyetjen e Albanian Post.

“Rrjedhimisht, situata e përkeqësuar në Kosovë me gjasë do të paraqiste arsye shtesë për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, gjë për të cilën Serbia frikësohet dhe e konsideron të papranueshme”, thotë profesori serb.

Flamujt e shteteve të QUINT-it

 

Nevoja për NATO, Kosova dhe Serbia

Skena politike kosovare ka shtuar përpjekjet dhe kërkesat për anëtarësim në NATO. Duke qenë se arkitektura e sigurisë në botë pas 24 shkurtit s’ka qenë më e njëjtë, as Kosova nuk ka qëndruar pasive në intensfikimin e orientimit të saj drejt perëndimit.

“Beogradi ka qëndrim tejet negativ ndaj kujtdo që përmend mundësinë e Kosovës të anëtarësohet në NATO. Mediat pro-qeveritare interpretojnë këto iniciativa si plane për të destabilizuar Serbinë”, tregon Biserko për AP.

Sentimenti i fortë anti-NATO në Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe nisjes së fushatës zgjedhore të qendërzuar në retorikën viktimizuese të kastës politike të Sllobodan Millosheviçit, Vuçiç, Daçiç, Vulin, edhe më tej ka shtuar ashpërsinë verbale në raport me Kosovën.

“E gjithë kjo hap pyetjen e mëposhtme: Kush dëshiron stabilitet dhe kush jostabilitet në Ballkan dhe me çfarë çmimi? Për momentin, kjo pyetje është akoma më e rëndësishme për Brukselin dhe Uashington-in, sesa Pekinin dhe Moskën”, thotë thotë Radeljiç.

Kurti dhe Vuçiç, kush çka fiton?

Profesori serb, Branislav Radeljiç, pohon se edhe Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, në dritën e krijimit të tensioneve, paramendojnë dhe projektojnë poena politika te votuesit e tyre.

“Edhe lidershipi serb edhe shqiptar shijojnë inxhinierimin e krizave që do t’u ndihmojnë rejtingun, dhe kështu, maksimalizimin e pushtetit, para elektoratit të tyre respektiv”, konsideron ai.

“Po të ishte Kurti serioz për konsolidimin e Kosovës dhe progresin për demokratizim, ai do të shihte të rregullonte çështjen e rrjeteve mafioze në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, që mirëmbajnë lidhje të fuqishme me autoritetet me bazë në Beograd”.

Por, edhe profesori serb është në dijeni në kufizimet që rëndojnë mbi shefin e ekzekutivit të Kosovës.

“Megjithatë, ai (Kurti) është gjithashtu i vetëdijshëm për kufizimet e tij duke pasur parasysh se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur plotësisht, dhe për rrezikun që kriminelët vendas mund të udhëzohen lehtësisht nga mbikëqyrësit e tyre të Beogradit për të provokuar kërdi dhe për të destabilizuar terrenin”, thotë Radeljiç.

Nga politikat retrograde të zgjatimit të pushtetit të Vuçiç dhe kalimit të tyre në heshtje, normalisht, fiton Vuçiç, thotë profesori.

“Personi që përfiton më së shumti nga kjo është vetë Vuçiç, dhe kjo është një pyetje për Perëndimin, në atë se pse edhe Brukseli edhe Ëashington-i i mshelin sytë ndaj politikave detrimentale të tij”, shtron pyetjen ai.

Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Serbia, dhe heshtja ndërkombëtare ndaj saj – Kosova, au contraire

Dekonstruktuesja mbase më e madhe e politikave autoritare të Aleksandër Vuçiç, Sonja Biserko, i jep të drejtë pozicionit të Albin Kurtit.

“Që nga ardhja e Kurtit kryeministër i Kosovës ai ka ngulur këmbë në reciprocitet në raport me Serbinë. Ashtu siç e shoh unë, është e rënëdësisë jetike (imperativ) të kemi palë të barabarta si parim në zgjidhjen e çësthjeve të mbetura peng mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Biserko.

“Qasja e QUINT-it bazohet mbi kuptimin se Beogradi është vend kyç në rajon dhe se trajtimi i butë ndaj politikave të Beogradit është gjë konstante”, deklaron ajo referuar deklaratës së QUINT-it ndaj Kosovës.

Por, Biserko, rikujtuon edhe “zhgënjimet” e Kosovës ndaj QUINT-it, dhe jo vetëm “zhgënjimin” e shprehur së fundmi.

“Ia vlen të thuhet që BE nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave, për shembull, kur Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet”, risjell ajo.

Ka gjëra, të peshave më të rënda, ndaj të cilave QUINT nuk është se ka shprehur, me deklaratë të përbashkët, “zhgënjim”.

“Serbia ngrit tensione në të gjitha vendet e rajonit. Qe sa e sa vite, ende shpreson të realizojë agjendën e ‘botës serbe’ pothuajse pa asnjë intervenim serioz ndaj komuniteti poltiik perëndimor. Vetëm tani që nisi lufta në Ukrainë shqetësimet perëndimore ndaj Serbisë janë bërë serioze”, thotë akvistja serbe për Albanian Post.

Mural në një rrugë në Beograd, Foto: 26 gusht, 2021

Perëndimi ka pasur qasje të moderuar nga Vuçiç, me besimin që nga ai do të shohin mishërim të politikave perëndimore.

“Perëndimi ende vazhdon të besojë se Vuçiç do të bëjë kompromise pas zgjedhjeve. Nuk jam i sigurtë për këtë gjë madje edhe nëse Vuçiç zgjedh skenarin e perëndimit”.

“Për të nuk do të jetë e lehtë pasi që ka një aleancë të tërë elitash (ushtarake, intelektuale, kulturore, politike dhe religjioze) kundër kësaj. Ai edhe personalisht është përgjegjës për atmosferë mbizotëruese pro-ruse”, thotë Sonja Biserko.

Çfarë vjen pastaj?

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, nuk konsideron se edhe pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë hapa para në dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu qe tash gjashtë vite është në ngërc dhe nuk do të fillojë aq leht as pas zgjedhjeve. Kur konsiderojmë kontekstin ndërkombëtar, Beogradi do të jetë nën presion të ashpër nga Moska dhe Perëndimi. Moska nuk do të heq dorë nga Rezoluta 1244 sepse është leva që ka mbi Beogradin, vetëm nëse Beogradi vetvetiu vendos të njohë Kosovën, që s’ka gjasa të ndodh”, shtjellon ajo.

Se si do të rrejdhin gjërat në Ballkanin Perëndimor, Biserko suspendon gjykimit deri në përfundim të luftës në Ukrainë.

“Është e vështirë të parashohim zhvillimne në rajon sepse varet nga si dhe kur lufta në Ukrainë do të merr fund, dhe nën çfarë kushte. Le të shpresojmë, që Perëndimi do t’i mbajë deklaratat e fundit në lidhje me Ballkanin”, përfundon Sonja Biserko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore