Shqipëria

Ambasadorja Kim ‘kritikon’ Metën për kërcënimet ndaj drejtësisë: Të fortët shqetësohen sepse s’janë më të paprekshëm


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka komentuar nëpërmjet një statusi në median sociale Twitter situatën e fundit të krijuar në drejtësinë shqiptare, mbi hetimin e nisur nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK, kundrejt ish-President të Republikës, Ilir Meta, i kallëzuar penalisht për korrupsion nga ish-deputeti Halit Valteri.

Pas lajmit se Meta po hetohet nga SPAK, kreu i Partisë së Lirisë, akuzoi ashpër drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja, se është një “spurdhjak partie”.

“Kërcënimet për gjykatësit dhe prokurorët apo përpjekjet e tjera për të ndalur reformën në drejtësi, nuk duhet të pranohen më si normale”, shkruan Kim, duke theksuar se “kjo sjellje nuk i përket një vendi anëtar të NATO-s, i cili ka hapur edhe negociatat me Bashkimin Evropian dhe ndodhet në një nga ulëset e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Më tej, Kim e ashpërson edhe më shumë gjuhën e saj, duke shkruar se për shumë gjatë, të pasurit dhe të fortët kanë besuar se janë të paprekshëm.

Mirëpo tanimë, sipas saj, ata janë të shqetësuar se paprekshmërisë së tyre i ka ardhur fundi.

“Teksa reforma në drejtësi po implementohet dhe prodhon sa vjen e më shumë rezultate, do të bëhet e qartë e më e qartë se ashkush – askush – nuk është mbi ligjin”, përmbyll Kim komentin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore