Shqipëria

Alibeaj përplaset me Ballën për ekstradimin e të dënuarve nga EBA


Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u kërkoi autoriteteve shqiptare që të lidhin marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje, sipas tij, nëse do të nënshkruhet do të ketë miratimin me votë edhe nga ana e demokratëve.

“Nëse do sillni një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e keni votën tonë. Ndaj kësaj marrëveshjeje fshihen kaq probleme të mëdha dhe demaskim i qeverisë. Kjo është ajo që duhet të diskutojmë të gjithë, duhet parë me seriozitet, impuls politik, për të hequr çdo ide keqkuptimi që pengimi i marrëveshjes së ekstradimit me Emiratet të jetë e kapur nga krimi”, u shpreh fillimisht Alibeaj.

Për deputetin demokrat, të gjitha bandat në Shqipëri “kanë gjetur parajsën e tyre në Dubai”.

Sakaq, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi me asnjë vend.

“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje me asnjë shtet. Po ashtu dua t’iu them se marrëdhëniet e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe janë në nivelin më të mirë historik”, theksoi Balla.

Në fakt, Emiratet e Bashkuara Arabe presin të nënshkruajnë shtatë marrëveshje ekstradimi me vende anembanë botës këtë vit.

Kjo, duke nënvizuar një shtytje të zyrtarëve për të pastruar imazhin e vendit.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë 37 marrëveshje të ndërsjella të ndihmës juridike dhe ekstradimit, duke përfshirë pakte me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Indinë dhe Kinën.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri, Arben Kraja, deklaroi gjatë muajit maj se në Dubai gjenden katër të arratisur nga drejtësia shqiptare.

“Kemi katër të arratisur atje, por nuk mund t’i ekstradojmë sepse ato ligje nuk ekzistojnë dhe nuk u përgjigjen kërkesave tona”.

Dubai, për Krajën, është kthyer në një parajsë kriminale të të arratisurve, por jo një parajsë fiskale.

“Ka shumë që ikin në vende të ndryshme, por askush nuk përgjigjet kur ne kërkojmë ekstradimin e tyre”, tha më tej shefi i SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore