Lajme

Aleatja e ngushtë e Trump humb garën për guvernatore të Arizonas


Goditje pas goditje, Donald Trump duket më i dobësuar se kurrë përballë demokratëve në pretendimin e tij për t’u rikthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë, ku sipas projeksionit të mediave më të rëndësishme amerikane, aleatja e tij e ngushtë, Kari Lake, e ka humbur garën për guvernatorë në Arizona, përballë rivales demokrate Katie Hobbs.

Me një garë të ngushtë, projeksionet e japin Hobbs fituese me 50.4% të votave përballë Lake, në një shtet kyç si Arizona, e cila së bashku me Nevadën përcaktuan edhe zgjedhjet për Senatin, të cilat sërish i shkuan demokratëve në shumicë.

Tashmë republikanëve, si ngushëllim i vetëm, i ka mbetur gara për Kongresin, mbi të cilën projeksionet më të shumta japin një përfundim me epërsi minimale të tyre, 219 mandate kundrejt 216 të demokratëve.

Por, sërish, edhe pse me këtë arritje mund ta ndalojnë presidentin Joe Biden të kalojë reforma thelbësore e paketa për votim, ngushtësia e rezultatit, pikërisht atëherë kur pritej një “vale e kuqe masive”, është fitore për demokratët.

Këtë e ka kthyer në kauzë edhe vetë numri një i Shtëpisë së Bardhë, Biden, gjatë adresimit të tij përballë gazetarëve, menjëherë pas publikimit të rezultateve të para zgjedhore.

Nga ana tjetër, Trump, pavarësisht se është munduar ta fshehë zhgënjimin, ka ende një çast kyç për të zbuluar gjatë 15 nëntorit.

Diçka, të cilën ai ka thënë se është “njoftimi më i rëndësishëm i vitit”.

Të shumtë mendojnë se bëhet fjalë për shpalljen e kandidaturës për Presidencën 2024.

Mirëpo, me të gjithë pro-Trump-istët, të cilët janë përballur me disfata zgjedhore – Lake është ndër ato politikane republikane, të cilat mendojnë se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën – përçarje të brendshme janë krijuar.

Më e forta, është ajo me senatorin e sapo zgjedhur të Floridas, Ron DeSantis, i cili duket aktualisht kandidati më i mundshëm për t’u përballur me Trump në primaret republikane…nëse ky i fundit hyn në garë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore