Lajme

Aksidenti në Kroaci ku humbën jetën 10 kosovarë, prokuroria kroate ngre aktakuzë ndaj shoferit: Ishte i pakujdesshëm


Autobusi kosovarë i aksidentuar në Slavonski Brod të Kroacisë

Prokuroria në Slavonski Brod të Kroacisë ka ngritur aktakuzë kundër shoferit të autobusit nga Kosova që u aksidentua më 25 korrik të vitit të kaluar, ku mbetën të vdekur 10 kosovarë.

Sipas aktakuzës aksidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së shoferit, e jo pse atë e kishte zënë gjumi në timon.

“I akuzuari 52-vjeçar akuzohet se me datë 25 korrik të vitit të kaluar rreth orës 6 ka vozitur autobusin Setra me targa të Kosovës në korsinë e djathtë në drejtim të lindjes, gjegjësisht në korsinë jugore të autostradës A3, afër Sibinjit në kundërshtim me dispozitat e nenit 47 paragrafi 2 i Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor”.

Shoferi i autobusit

“Ai akuzohet se, duke besuar se nuk do të rrezikonte përdoruesit e tjerë të rrugës, është kthyer nga pjesa e pasme e autobusit ku ka dëgjuar zhurmë, kështu që nuk ka mundur të ndiqte situatën e trafikut para tij apo drejtimin e autobusit”, raporton mediumi kroat Index.hr.

Tutje, bëhet e ditur se shoferi i autobusit nga Kosova akuzohet se më pas ka marrë kthesën majtas dhe ka frenuar, gjë që ka shkaktuar rrëshqitje dhe përmbysje të autobusit.

Ndryshe, shoferi fillimisht ishte ndaluar për një muaj paraburgim nga Gjykata në Slavonski Brod, ndërkaq paraburgimi i ishte zgjatur deri më 22 nëntor.

Ai më pas është liruar për t’u mbrojtur në liri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore