Lajme

Ahmeti: Pushka pas lufte dhe fjala pas Kuvendit s’kanë vlerë, vendit i duhet stabilitet


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit lider i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, ka thënë se “pushka pas lufte dhe fjala pas kuvendit nuk kanë vlerë”.

Këto komente, Ahmeti i ka bërë në Malësinë e Tetovës, përkatësisht në fshatin Shipkovicë, duke u përgjigjur kështu sulmeve dhe akuzave që partia nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, por edhe LSDM-ja, po i bëjnë në drejtim të tij dhe BDI-së.

“Pushka pas lufte dhe fjala pas Kuvendit nuk kanë vlerë, prandaj le të mësojnë edhe ata kandidatë për president edhe për Kryeministra. Sot kemi nevojë për stabilitet, për paqe dhe siguri”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së ua bërë me dije partive maqedonase se retorika e tyre i takon kohës së vjetër.

Sipas tij, zgjedhjet parlamentare të 8 majit janë një referendum për Maqedoninë e Veriut, andaj u bëri thirrje qytetarëve që të përcaktohen “për rrugëtimin evropian të vendit”, në mënyrë që, siç tha ai, “të përjashtohet një herë e përgjithmonë ndikimi rus në këtë nënqiell”.

Ndërkaq, lideri i “Frontit Evropian”, ripërsëriti se legjitimitetit për t’i përfaqësuar shqiptarët në qeveri e jep populli, e jo dikush tjetër.

“Pavarësisht ata që thonë – ky hyn ai del në qeveri. Këto janë përralla me mbret. Qeverinë dhe institucionet i bëjnë ata që kanë mbështetjen e popullit dhe populli të zbret dhe populli të ngarkon”, shtoi.

Sa i përket zotimeve të koalicionit që ai udhëheqë, Ahmeti bëri me dije se s’ka kompromise me to.

“Vijat e kuqe ne i kemi: anëtarësimi i vendit në BE, korniza për ekonomi dhe Vetting dhe duhet që me përkushtim të gjithë të angazhohemi”.

Ndryshe, më 8 maj në Maqedoni të Veriut mbahen zgjedhjet parlamentare, së bashku me raundin e dytë të atyre presidenciale.

Në taborin shqiptar janë dy kampe, “Fronti Evropian”, që udhëhiqet nga Ahmeti, dhe koalicioni “VLEN”, lideri i të cilit është Bilall Kasami.

Këto zgjedhje vijnë pas raundit të parë të atyre presidenciale, ku kandidati i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, fitoi në taborin shqiptar me një diferencë rreth 49 mijë vota ndaj atij të “VLEN”-it, Arben Taravari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore