Sport

Agim Ademi: Ska ndeshje në Spanjë, pa himn e flamur të Kosovës


“I përshëndes të gjithë popullin e Spanjës nga Republika e Kosovës”, ishin fjalët e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, lidhur me provokimin e fundit që Federata e Futbollit të Spanjës kishte bërë për shtetin e Kosovës.

Në një intervistë të realizuar nga Albanian Post, kryetari Ademi, foli lidhur me provokimet që Federata e Spanjës nuk e quajti Kosovën shtet por iu referua si “territor i Kosovës” dhe se himni e flamuri i shtetit të Kosovës, nuk mund të pranohen në ndeshejn që Kosova do ta zhvilloj kundër Spanjës në Sevilla, për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Ndeshja në mes të Kosovës dhe Spanjës do të zhvillohet më 31 mars, dhe kryetari Ademi deklaroi se Kosova do të udhëtoj në Spanjë pa asnjë kompromis, përveç se të shkoj atje dhe ta zhvilloj ndeshjen si shtet i pranuar në UEFA dhe FIFA.

“Federata e Spanjës dhe Federata e Kosovës, dhe të gjitha Federatat tjera, e kanë një rregullore të UEFA-s, dhe komform asaj rregulloreje, organizohen të gjitha ndeshjet”, deklaroi fillimisht Agim Ademi për Albanian Post.

“Ne jemi shtet i pranuar në UEFA dhe FIFA me të gjitha të drejtat ashtu si të gjithë të tjerët, dhe faktikisht ne nuk do të bëjmë ndonjë kompromis tjetër për arsye të ndryshme apo nevoja të ndryshme të brendshme që i ka Spanja. Pra, nese nuk respektohet rregullorja e UEFA-s që të dëgjohet himni dhe të jetë flamuri atje, Kosova nuk e zhvillon ndeshjen” tha Kryetari i FFK-s.

Gjatë intervistës, Ademi gjithashtu u përgjigj edhe në pyetjen se a pret që të dënohet Spanja, në rast të mos zhvillimit të lojës.

“Ne jemi të gatshëm me të gjitha rregullat e UEFA-s, të shkojmë dhe ta zhvillojmë ndeshjen dhe nuk kërkojmë asgjë më shume se sa është obligative, prandaj besoj që çdo gjë do të jetë në anën tonë, për vetë faktin që ne jemi të gatshëm dhe jemi në rregull. Gjithsesi ne presim që ndeshja të zhvillohet, dhe uroj të zhvillohet, qysh është e paraparë, në të kundërtën i ngelet komisionit të Uefasë të vendos”, u përgjigj ai.

Sa i përket Kosovës, Federata e Futbollit të Spanjës ka qenë e dënuar dhe një herë, për faktin që nuk i ka pritur ndeshjet kualifikuese të Kosovës U17, dhe ato ndeshje është dashur që të luhen në Nyon, prandaj Spanja është e dënuar nga UEFA, dhe nuk mund të organizojë kualifikime të tilla për katër vitet e ardhshme.

Por, Kryetari Ademi, beson se kjo ndeshje do të zhvillohet ashtu siç i ka hije.

“Besoj që ndeshja do të zhvillohet, sepse nuk ka ndonjë gjë që nuk mund të luhet. Edhe shteti i Spanjës paraprakisht e ka pranuar këtë qështje, sepse ky është sport, dhe unë veq mund t’iu them, që i përshëndes të gjithë popullin e Spanjës nga Repubilka e Kosovës” përfundoi Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Se Kosova duhet të trajtohet si shtet i barabartë me të gjithaa shtetet e pranuara nga UEFA dhe FIFA, këtë e tha për Albanian Post, edhe trajneri i mirënjohur Kosovar, Bylbyl Sokoli.

“Kosova duhet me u trajtu si anëtar i barabartë me Spanjën, pasi që si ata edhe ne jemi të anëtarsuar në UEFA dhe FIFA, andaj Spanja duhet të pranoj himnin e Kosovës në atë ndeshje, në të kundërtën unë mendoj se ndeshja nuk do duhej të luhet” theksoi trajneri i futbollit kosovar.

Sokoli gjithashtu shtoi se ne nuk duhet të merremi me atë se çka ndërmerr UEFA ndaj Spanjës, por duhet që të shkojmë atje dhe të luajmë futboll si çdo shtet tjetër i anëtarsuar në UEFA dhe FIFA.

Kosova gjendet në Grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Dardanët para ndeshjes me Spanjën, do të zhvillojnë një lojë miqësore ndaj Lituanisë në Prishtinë me 24 mars, pastaj me 28 mars do të presin Suedinë për të hapur kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore