Shqipëria

Afganët largohen nga Qytet Studenti drejt Lezhës


Afro 300 afganë që ishin të strehuar pranë zonës së Qytet Studentit në Tiranë janë zhvendosur drejt qytetit të Lezhës.

Mësohet se tanimë, ata do të strehohen nga një strukturë hoteliere e Lezhës.

Burime jo zyrtare për Albanian Post, kanë bërë me dije se bëhet fjalë për hotel “Rafaelo” në Shëngjin.

Afganët e parë në Shqipëri

Avioni i parë me 121 refugjatë afganë është ulur zyrtarisht në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të 27 gushtit.

Mes tyre ishin 11 foshnja dhe u procedua me përpunimin e të dhënave individuale.

Ata janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka mbërritur më herët për t’i pritur ata në pistën e repartit ushtarak në Rinas.

Në ambientet e aeroportit ka mbërritur edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Qytetarët afganë në Shqipëri deri sot

Shqipëria ka rënë dakord të pranojë refugjatë për të kaluar transit në SHBA, ku deri më tani po strehohen mbi 600 qytetarë afganë.

Të angazhuar janë edhe fondacione të shumta humanitare, për sjelljen e sigurt të afganëve në Shqipëri.

Pikërisht nga këtu, çdo procedurë e mëpasshme do të kryhet për të vijuar procesin me lejet e qëndrimet amerikane, të cilat do t’u bëjnë atyre të mundur, stabilizimin përfundimtar në SHBA.

Ndërsa, Qeveria shqiptare, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për t’i strehuar këta shtetas.

E ka theksuar këtë gjë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Strukturat akomoduese janë gati dhe të pajisura me çdo mjet të nevojshëm.

Strehim dhe mbrojtje për 1 vit

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ndihmën ndaj refugjatëve afganë në Shqipëri, ku do të ofrohet strehim dhe mbrojtje për ta deri në një periudhë një-vjeçare.

Gjithashtu, do të krijohet një strukturë e tipit Task-Forcë, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm apo përhershëm të Republikës Islamike të Afganistanit.

Prej një javë, Shqipëria është në pritje të një numri ende të pacaktuar të refugjatëve afganë. Në tërësi, siç ka deklaruar më parë kryeministri Edi Rama, mund të jenë deri në 3 mijë refugjatë. Ata do të pranohen për qëndrim të përkohshëm në Tiranë, Durrës dhe Berat.

Mbrojtja për ta, do të fillojë nga çasti i hyrjes në Shqipëri.

Po ashtu, në rast se autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët kërkon kufizim të lëvizjes së tyre, një vlerësim i tillë mund të bëhet nga Qeveria.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të kryesojë këtë Task-Forcë.

Gjashtë Ministritë e tjera të përfshira, do të jenë ajo e Brendshme, Mbrojtjes, Financave dhe Ekonomisë, Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore