Lajme

Abdixhiku ia shpreh “brengat” zyrtares së DASH-it për draft-statutin


Lumir Abdixhiku dhe Colleen E. Hyland

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka takuar të enjten drejtoreshën për Evropën Jug Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), Colleen E. Hyland, ku ka shprehur pikëpamjet e LDK-së për draft-statutin e propozuar nga Bashkimit Evropian (BE) për themelimin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kreu i LDK-së, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka njoftuar se zyrtares amerikane ia ka shprehur edhe mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), posaçërisht sa i përket procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, duke kërkuar që mbështetja ndaj Kosovës të vazhdojë.

“Në takim i kërkova që kjo mbështetje për Kosovën – për popullin tonë – të vazhdojë, veçmas në procesin e ndjeshëm dialogues me Serbinë, me qëllim të mbrojtjes së interesave tona shtetare, të përcaktuara në Kushtetutë e Deklaratë të Pavarësisë”, ka shkruar numri një i LDK-së.

BE-ja ua ka dorëzuar partive opozitare një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa Abdixhiku ka shprehur shqetësimin për përmbajtjen e dokumentit, duke e cilësuar një autonomi të zgjeruar territoriale që mund të çojë drejt federalizmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore