Lajme

Abazi: Ekzistojnë video që tregojnë kush i zhduki mostrat e rastit Dehari, Prokuroria ta intervistojë Kurtin


Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Pikërisht kjo dijeni dhe hulumti i Abazit i bërë në këtë drejtim, sipas tij, kanë sjellë deri te shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtarit të Komisionit për Stabilizim Asociim edhe anatemimit të tij brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Hulumtim im i fundit dhe pyetjet që i kam shtruar, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi dhe anatemimi brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Si është e mundur që në pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë”, pyet fillimisht ai.

Abazi duke folur për mostrat e gjakut të Deharit që muaj më parë u zhdukën nga Institutin i Mjekësisë Ligjore ka thënë se Prokuroria duhet ta intervistojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu e disa anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore monitorohet 24 orë nga kamerat, dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”.

“Nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihailin, Nazlie Balajn, Albulena Haxhiun dhe Flutura Goga-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajt mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që realisht kërkon drejtësi”, ka shtuar ai.

Ministrja Haxhiu, sipas Abazit, duhet të kryejë punën e saj si ministre e Drejtësisë në rastin e Astrit Deharit.

Abazi nuk ka akuzuar disa nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje vetëm për rastin e Astrit Deharit.

Ai ka thënë se ekzistojnë edhe audio-incizime në të cilat, sipas tij, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe aktivistja e VV-së, Dehona Mihali, bisedojnë për ta ndalur zërin e deputetëve të pushtetit brenda Kuvendit.

“Janë audio-incizimet ndërmjet Bogujevcit, Kusari-Lilës dhe Mihalit ku bisedojnë për ngufatjen e deputetëve brenda Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas Abazit, aktivistja e LVV-së nga Shqipëria, Dejona Mihali, është masha e kontrollit të Grupit Parlamentar të LVV-së në Kuvend.

“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dehona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty”.

Abazi: Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë urdhër për shkarkimin nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtarit të Komisionit për Stabilim Asociim me BE-në.

Sipas tij arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet, por sipas tij kryesorja është që shefi i ekzekutivit është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria.

“Mendoj që çështja kryesore këtu është se Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria”, ka thënë Abazi.

Megjithatë ai ka garantuar se si deputet ai nuk do të votojë në asnjë mënyrë për rrëzimin e Qeverisë Kurti II.

“Tani kemi këtë kombinacion politik në Kosovë, opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti, Grenelli nuk ekziston më, nuk ka Grenell, Escobar nuk është njeriu që mund të krahasohet me Grenellin, asnjë interesë të vetëm nuk e ka askush racional që të rrëzojë Qeverinë Kurti. As unë e asnjë deputet tjetër me integritet brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është i interesuar ta rrëzojë Qeverinë Kurti”.

Ai që prej kohësh ka shprehur vazhdimisht pakënaqësitë e tij me partinë që iu bashkua para zgjedhjeve të vitit 2019, veçanërisht me kryesuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një periudhë ai thërriste konferenca me gazetarë çdo të premte ku shpaloste opinionet e tij për situatën politike.

I pyetur përse, Abazi kishte lënë të nënkuptohej se nuk po i jepej hapësirë brenda partisë.

Ai pati shprehur ankesa edhe në Shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila, sipas Abazit, nuk ndante në mënyrë meritore fjalën mes deputetëve të VV-së ne seanca.

Kur Abazi ishte anëtarësuar në Vetëvendosje në vitin 2019 për shumë kë ishte një lëvizje befasues.

Dikur një nga kritikët e ashpër të Vetëvendosjes, Abazi pas formimit të qeverisë e pa vetën njeriu i dytë pas Kurtit, duke okupuar pozitën e zëvendës-kryeministrit të parë.

Ajo qeveri zgjati pak dhe kur u formua Kurti 2, Abazi më nuk gëzonte asnjë funksion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore