Lajme

AAK paralajmëron protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike


Ilustrim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar kundërshtime të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës, pas shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike

Në partinë opozitare thonë se do të përdorin edhe rrugët jo-institucionale për të shfuqizuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Nënkryetari i AAK-së, njëherësh deputeti, Pal Lekaj ka thënë për KosovaPress, se vendimin për shtrenjtimin e rrymës do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, derisa thekson se po i shikojnë mundësitë për të organizuar edhe protestë.

“Ne do të kërkojmë metoda demokratike të presionit ndaj Qeverisë, duke e dërguar vendimin edhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, edhe metoda të tjera jashtë institucioneve. Të gjitha janë opsionale, do të shikojmë se cila mundësi do të jetë që të bëjmë presion në qeveri”, ka thënë Lekaj.

Pal Lekaj

Sipas Lekaj, vendimi i ZRRE-së është antiligjor dhe diskriminues pasi i dallon qytetarët.

Ai madje thotë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje edhe për pagesën e rrymës në veri.

“Për një shtresë të qytetarëve subvencionohen ndërsa për pjesën tjetër qytetarët duhet të paguajnë për të tjerët. Sidomos është diskriminues dhe jo i barabartë me veriun e vendit me qytetarët që janë të padëgjueshme dhe në asnjë mënyrë nuk është gjetur zgjidhja që të paguajnë energjinë e shpenzuar”, ka thënë Lekaj.

“Me siguri qeveria Kurti ka menduar që gjithçka që menaxhohet shkon vetëm në favor të subjektit të tij, por nuk ka dominuar interesi i përgjithshëm i qytetarëve. Sikur që ka mashtruar dhe premtuar se do të ketë zvogëlim të energjisë elektrike, mendoj se këtë drejtim zotëri Kurti nuk e ka mbajtur premtimin dhe për mua është një mashtrim i radhës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore