Lajme

A mund ta formojnë vetë serbët Asociacionin nëse Qeveria refuzon?


Stema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Si të zakonshme mund të cilësohen tashmë deklaratat të artikuluara nga zyrtarët e Listës Serbe të tipit – serbët mund ta formojnë vetë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, nëse këtë refuzon ta bëjë Qeveria e Kosovës.

Por, si të pamundur po e konsiderojnë njohësit e çështjeve Kushtetuese një dëshirë të tillë, kjo për faktin se Asociacioni, i cili është produkti i Marrëveshjes së Brukselit (2013), mund të krijohet ekskluzivisht vetëm me pëlqimin e ekzekutivit kosovar.

Serbët, shpjegon Mazllum Baraliu, profesor i së drejtës ndërkombëtare, po ta kishin mundësinë do ta krijonin një mekanizëm të tillë pa pyetur fare Qeverinë.

“Serbët në veri tashmë kanë krijuar veçse stemën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thotë fillimisht ai për Albanian Post.

Megjithatë, sipas tij, krijimi i njëanshëm i Bashkësisë së Komunave përveç se nuk do të ishte legjitim mund të konsiderohet edhe vepër penale.

“Po supozojmë se serbët vendosën ta krijojnë Asociacionin pa koordinim me Qeverinë e Kosovës, i njëjti nuk do të kishte legalitet, pra çdo gjë që nuk parashihet me ligj konsiderohet e pa vlerë, përndryshe serbët do ta bënin atë që moti”, shton ai.

Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni një-etnik, ndërsa Serbia këmbëngul që të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.

Ekzekutivi kosovar, gjegjësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se Asociacionet që karakter themeltar kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe vetë karakterin e shtetit.

Kushtetuta e Kosovës, sipas Baraliut, parasheh formimin e Asociacioneve, siç është ai ekzistues i Komunave, por pa kompetenca ekzekutive.

“Mund të bëhet me prefiks, pra mund të bashkohen disa komuna dhe të bëjnë një Asociacion në formë të një organizate jo-qeveritare, sepse kjo është paraparë në Kushtetutë por asgjë më tepër”, argumenton ai.

Se një Asociacion me kompetenca ekzekutive që rrjedhimisht do të ishte e pavarur nga qeverisja qendrore nuk mund të bëhet pa një marrëveshjeje shtetërore të veçantë e thotë edhe juristi, Mentor Beqiri.

“Kjo për faktin se Kushtetuta nuk lejon një Asociacion të tillë. Asociacioni mund të jetë një OJQ e regjistruar në Ministrinë përkatëse në Kosovë, siç është ajo e Asociacionit të Komunave të Kosovë, ku të përfshira janë të gjitha komunat”, thotë ai për Albanian Post.

Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë.

Megjithatë Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Gjersa ka më pak se dy javë prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen në Maqedoninë e Veriut për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel më 27 shkurt,  “lufta” mes Kosovës dhe Serbisë tashmë është orientuar në atë se si do të duket Asociacioni.

Albanian Post ekskluzivisht kishte siguruar dokumentin përmes së cilit ishin shqyrtuar afër 20 modele të llojeve të ndryshme të autonomive, vetë-qeverisjeve e zonave vetë-menaxhuese në shtete të ndryshme të Evropës për të gjetur organizimin e përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore