Kosova

A duhet liruar pozita e deputetit nga kandidatët për kryetar komunash?


Kuvendi i Kosovës

“Po një herë për një herë do të vazhdoj pozitën e deputetit pasi kjo çështje është e rregulluar me ligj”, deklaroi Bedri Hamza për Albanian Post, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe tani kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës, kur u pyet se a do ta ndjekë shembullin e bashkëpartiakut të tij, Uran Ismailit, dhe të heq dorë nga pozita e deputetit, pasi po garon për kryetar komunë.

Ligjërisht, deputet që janë të emëruar në kuvendin e Kosovës nuk janë të detyruar t’i lirojnë pozitat e tyre aktuale duke qenë vetëm kandidat për kryetar komune.

Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), konsideron se edhe pse me ligj është e rregulluar kjo çështje, sipas tij do të ishte avancim i standardeve demokratike në Kosovë në rast se deputet do të jepnin dorëheqje nga pozita aktuale që bartin për të vazhduar me garën zgjedhore.

“Unë konsideroj që është praktikë e mirë dhe do të ishte një avancim i standardeve demokratike në Kosovë, në rast se deputet apo kush do që bartë një funksion tjetër publik të jepe dorëheqje nga kjo pozitë në momentin kur vendos të hyjë në një garë zgjedhore të nivelit lokal apo çfarë do gare tjetër”, thotë Cakolli për Albanian Post.

 

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI)

Por sipas tij, “praktikisht është e pamundur që të orientosh punën dhe përkushtimin në të dy rrugë apo në dy gara që në këtë rast janë të kundërta, sidomos sa i përket kompetencave”.

Ndërkaq, ai sqaron procedurën se si zëvendësohen deputetët apo ministrat që marrin pozitat e tjera.

“Fillimisht, kryetari i kuvendit i dërgon një njoftim presidentes së vendit duke e bërë asaj të ditur që një nga pozitat e deputetëve ka mbetur vakante, meqë rast presidentja automatikisht kërkon nga ana e komisionit qendror të zgjedhjeve (KQZ), që të dërgoj propozimin me kandidatin e radhës të lirshëm nga ana e subjektit politik përkatës”.

Mirëpo, kandidatët duhet të zëvendësohen nga lista e subjektit politik me të cilin ata kanë garuar dhe merret për bazë numri më i madh i votave të kandidatëve të tjerë në listë për sa kohë nuk është cenuar kota gjinore.

Mirëpo, sipas analistit politik Visar Ymeri, formalisht dorëheqja nuk duhet bërë meqë ligji nuk e kërkon.

“Në anën tjetër fushata elektorale i pengon në ushtrimin e plotë të funksionit si deputet. Por edhe kjo nuk është në rregull absolut. Jo çdo herë, kandidimi për kryetar komune e pengon personin për të ushtruar funksionin e deputetit dhe ka raste kur edhe mund ta ndihmojë atë”, deklaroi ai për AP.

Visar Ymeri, analist politik

Ymeri thotë se, “nuk mendoj se dorëheqja nga posti i deputetit do të duhej të ishte kërkesë për ata që garojnë në zgjedhjet lokale”.

Kandidatët për kryetar komunash që nuk kanë liruar akoma pozitën e deputetit

Numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë të komunave që aktualisht janë deputetë të Kuvendit të Kosovës e ka Lëvizja Vetëvendosje. Asnjëri nga ta, pavarësisht se ka nisur fushata për zgjedhjet lokale nuk është tërhequr nga pozita e deputetit.

Lëvizja Vetëvendosje kandidatë që kanë pozita tjera ka Arben Vitinë, Alban Hysenin, Mimoza Kusari-Lilën, Salih Zybën e Adnan Rrustemin.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, në pozitën e deputetit ka pasur Uran Ismailin që tashmë ka jepur dorëheqje, ndërsa në këtë pozitë vazhdojnë të jenë Florentë Zejnullahun dhe Bedri Hamzën.

Partitë e tjera nuk kanë ministra apo deputetë që kanë kandiduar edhe për kryetar të ndonjë komune.

Zgjedhjet lokale në Kosovë

Këtë të enjte, 16 shtator, zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Me hapjen e fushatës zgjedhore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar nga partitë politike që t’i ndalojnë aktivitetet ku grumbullohen qytetarët.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19 dhe vdekshmërisë së lartë, në veçanti, bëjmë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Përkundër deklarimeve publike që fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ose 5 ditë, as një nga partitë politike nuk kishte bërë kërkesë zyrtare në KQZ për këtë gjë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë

Pas, takimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit me partitë Politike në vend, u vendos që as zgjedhjet të mos shtyhen, si kërkesë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Fushata në Kosovë do të zgjasë 30 ditë, deri më 15 tetor.

Më 17 tetor të drejtë vote do të kenë rreth 1 milion e 885 mijë qytetarë, derisa 24 mijë votues do të jenë të rinj për dallim nga zgjedhjet e fundit të parakohshme.

Gjithashtu, në listën zyrtare të votuesve, janë përfshirë edhe 90 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan jashtë vendit.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian ka dërguar 22 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjeve lokale që do te mbahen më 17 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore