Lajme

“A do të valonte flamuri i Kosovës nëse do të ishte pjesë e Open Balkan”


Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla përmes rrjetit social Facebook ka shpërndarë një fotografi, ku shihet ndërtesa në Beograd në të cilin është mbajtur takimi i ‘Open Balkan’.

“Kjo fotografi që është postuar sot në rrjetin social Twitter, është ndërtesa në Beograd ku u mbajt takimi i gjymtë i iniciativës së ashtuquajtur ‘Open Ballkan.’, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.

Ajo ka bërë një pyetje retorike se “nëse Kosova do të ishte pjesë e kësaj nisme, a do të valonte flamuri i Republikës së Kosovës para kësaj ndërtese”.

“Absolutisht JO. Prandaj kjo fotografi edhe simbolikisht dëshmon marrëzinë që do të mund të bënte Kosova nëse vetëm do e konsideronte si ide”, tha tutje ajo.

Ndërtesa në Beograd, ku u mbajt takimi i ‘Open Ballkan’.

Më 4 nëntor, tre liderët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov kanë zhvilluar bisedime për Open Balkan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të takimit të 4 nëntorit në Beograd për nismën rajonale “Open Balkan”, tha se “ne duam të bëjmë ndryshimin që njerëzit tanë të mund të udhëtojnë pa kufij në Shkup dhe Tiranë brenda një viti-një viti e gjysmë”.

Po ashtu, ai u shpreh i lumtur për bisedimet e zhvilluara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Çfarë është “Ballkani i hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tre vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri: “Ballkani i hapur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore