Lajme

Lista Serbe ankohet në Gjykatën Kushtetuese për Qeverinë “Kurti 2”


Lista Serbe ka deklaruar se në emër të 10 deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë Unike Gorane ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese ndaj Qeverisë Kurti, në mënyrë që të mbrohen interesat e popullit serb.

Sipas deklaratës, përmes ankesës kundërshtohet vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Kosovë që nga 22 marsi i vitit 2021 në të cilën siç thuhet në njoftimin e Listës Serbe “popullit serb iu dha vetëm një ministri megjithëse sipas Kushtetutës ishin të detyruar të caktoheshin dy ministri”.

Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues duke respektuar të drejtat e interesave të popullit serb dhe të komuniteteve të tjera jo shumicë.

“Ne theksojmë se vendimi për t’u mohuar serbëve përfaqësimin e drejtë në institucionet në niveli qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore”, shkruan mediumi i Kosovës në gjuhën serbe, Kosova-Online.

Tutje në këtë deklaratë theksohet se “nuk na duhen vende ministrore për hir të atyre vendeve, por si një mjet për të përmirësuar kushtet në të cilat jetojnë njerëzit tanë në Kosovë”.

Më 22 mars, Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës për herë të dytë, me gjithsejtë 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Kurti në Kuvendin e Kosovës ka njoftuar se Qeveria e re do të ketë 15 ministri ku një prej tyre është rezervuar për subjektin e Listës serbe.

Në Qeverinë e udhëhequr nga Kurti, ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore