Kultura

58 vjet që kur gruaja e parë fluturoi në hapësirë


Gruaja e parë që ka fluturuar në hapësirë

Gruaja e parë që ka fluturuar në hapësirë ka qenë Valentina Tereshkova, e lindur më 6 mars të vitit 1937, një astronaute dhe inxhiniere sovjetike.

Në momentin që iu dha mundësia, Tereshkova u bashkua me klubin paraushtarak fluturues në vendlindjen e saj Yaroslavl të Rusisë.

Para zgjedhjes së saj për programin hapësinor Sovjetik, ishte një punëtore në fabrikën e tekstilit dhe një parashutiste amatore, e cila më pas u bashkua me Forcën Ajrore si pjesë e Korpusit të Astronautëve, duke u bërë kështu civilja e parë që ka fluturuar në hapësirë.

Gjithsej katër gra u zgjodhën për t’u bërë astronaute, por vetëm Tereshkova arriti të shkonte në hapësirë.

Nikolai Kamanin ishte një aviator Sovjetik, i cili kishte lexuar nëpër media amerikane se pilotet femra po stërviteshin për të shkuar në hapësirë.

Në ditarin e tij, ai kishte shkruar, “Ne nuk mund të lejojmë që gruaja e parë në hapësirë ​​të jetë amerikane. Kjo do të ishte një fyerje ndaj ndjenjave patriotike të grave sovjetike”.

Më pas u dha miratimi për pesë femra astronaute, që do t’i fillonin stërvitjet në vitin 1963. Për të rritur shanset për të dërguar një grua sovjetike në hapësirë, gratë filluan trajnimin e tyre para burrave.

Rregullat kërkonin që astronautët të ishin parashutiste nën moshën 30 vjeç, më pak se 170 cm e gjatë dhe jo më shumë se 70 kg në peshë.

Meqenëse gratë nuk kishin përvojë ushtarake, ato filluan me gradën e Forcave Ajrore Sovjetike. Trajnimi përfshinte provat e izolimit, provat e centrifugës, provat e termo-dhomës, testimin e dhomës së dekompresimit dhe trajnimin e pilotëve në avionët luftarakë.

Tereshkova iu nënshtrua trajnimit për rikuperimin e ujit në det, ku u përdorën disa motobarka për të trazuar ujërat për të simuluar kushte të vështira. Gjithashtu, ajo filloi të studionte në Akademinë e Inxhinierisë së Forcave Ajrore Zhukovsky ku u diplomua disa vjet pas fluturimit të saj.

Grupi, në të cilin ajo bënte pjesë, kaloi disa muaj në trajnimin bazë dhe pasi mbaruan trajnimin e tyre dhe kaluan një provim, Kamanin u ofroi atyre mundësinë që të përfaqësoheshin si oficere të rregullta të Forcave Ajrore.

Që të pesta gratë u bënë togere  të vogla në Forcën Ajrore në dhjetor të vitit 1962. Tatyana Kuznetsova u bë e papërshtatshme për fluturimin e parë për shkak të sëmundjes, Zhanna Yorkina po performonte dobët në trajnim, duke lënë Tereshkova, Irina Solovyova dhe Valentina Ponomaryova si kandidatët kryesorë.

Më 16 shkurt 1962, Tereshkova u zgjodh së bashku me katër kandidatë të tjerë për t’u bashkuar me trupat femra astronautë.

Në mëngjesin e 16 qershorit 1963, Tereshkova u dërgua në autobusin e nisjes. Duke ndjekur traditën e vendosur nga Gagarin, ajo urinoi gjithashtu në gomën e autobusit, duke u bërë gruaja e parë që e bëri këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore